Një gjykatë federale e apelit ka ndalur shqyrtimin nga një ekspert i pavarur ligjor të dokumenteve të sekuestruara nga prona e ish-presidentit Donald Trump në Florida, duke hequr një pengesë që Departamenti i Drejtësisë tha se kishte vonuar hetimin penal lidhur me ruajtjen e informacionit qeveritar tepër sekret.
Vendimi i një trupe prej tre gjyqtarësh është një fitore e rëndësishme për prokurorët federalë, duke u hapur rrugën atyre që të përdorin si pjesë të hetimit të tyre të gjitha dokumentet e sekuestruara gjatë një kontrolli të FBI-së në Mar-a-Lago më 8 gusht.
Gjykata hodhi poshtë argumentet e avokatëve të ish-presidentit Trump, të cilët kishin thënë se ish-presidenti kishte të drejtë që një i ashtuquajtur “ekspert i pavarur ligjor” të kryente një shqyrtim neutral të mijëra dokumenteve të marra nga prona e tij.
Në një kontroll të miratuar nga gjykata, agjentët e FBI-së sekuestruan në 8 gusht rreth 11,000 dokumente në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago, mes tyre rreth 100 të shënuara si të klasifikuara, kjo si pjesë e një hetimi penal mbi posedimin dhe mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare nga ana e ish-presidentit me përfundimin e mandatit të tij.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi muajin e kaluar prokuror të posaçëm, zotin Jack Smith, për të marrë përsipër këtë hetim, vetëm tre ditë pasi zoti Trump njoftoi se do të kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Top Channel