Të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit që në vendin tonë krahas pikave të karburanteve që aplikojnë çmimet e fiksuara nga Bordi i Transparencës, si kjo pikë ku ndodhemi aktualisht, ka edhe pika të tjera, të cilësuara si “Pika të bardha”, të cilat i tregtojnë karburantet me çmime më të lira, nga ato të vendosura nga Bordi i Transparencës.

Një pikë karburanti e vëzhguar nga Top Channel, sot një litër naftë e tregton për 6 lekë më pak se pikat e tjera. Ndërsa nëpër rrethe siç raportojnë korrespondentët e TCh, ‘pikat e bardha’ i shesin më lirë karburantet dhe janë edhe më të përhapura.

Për ekspertin e ekonomisë Pano Soko, Bordi i Transparencës sot funksionon si një kartel. A i shpjegon se pikat e karburanteve që shesin rreth 5-6% më ulët sesa çmimi që vendos bordi, janë pika që dalin nga karteli, çka është tregues i qartë se aty çmimi nuk është tamam ai korrekti, që do duhej të ishte në bazë të çmimit të tregut.

“Pikat e bardha, siç quhen ato që i kanë çmimet më të ulëta, janë ato që kanë dalë nga rreshti i kartelit. Sepse duhet kuptuar që Bordi i Transparencës sot funksionon si një Kartel. Dhe cila është marrëveshja kartel? Është marrëveshja, e cila sanksionon një çmim të lartë për të gjithë operatorët. Në bazë të ligjit ne duhet ta luftojmë kartelin, por me bordin që kemi ngritur, ne e kemi zyrtarizuar kartelin. Këto pika karburantesh që shesin diku tek 5-6% më ulët sesa çmimi që vendos bordi, janë pika që dalin nga karteli, çka është tregues i qartë se aty çmimi nuk është tamam ai korrekti, që do duhej të ishte në bazë të çmimit të tregut, se ja ku janë pikat të cilat kanë mundësi për të ulur çmimet dhe që i ulin realisht.

Dëgjojmë edhe zëra që thonë se këto pika ulin çmimin, por abuzojnë me cilësinë dhe sasinë. Por unë nuk e besoj, pasi zakonisht pikat që abuzojnë me çmimet janë ato pika të cilat fshihen nën atë të zakonshmen. Në qoftë se ti del nga tufa dhe del me çmim të ulët, duke e vënë në pikëpyetje tashmë çmimin që ka fiksuar bordi, atëherë mendoj se këto pika tregohen shumë herë më të kujdesshme të mos abuzojnë në këtë pikë, sepse praktikisht janë komplet të zbuluara ndaj institucioneve shtetërore. Kështu që nuk besoj se ata do të jenë kaq naivë për të bërë manovra të tilla, por më tepër besoj se ky është një rezultat i daljes së tyre nga linja e kartelit“- shprehet eksperti i ekonomisë, Pano Soko.

Top Channel