Linja ajrore teston me sukses motorin ‘me hidrogjen’ të prodhuar nga Rolls-Royce (fotot)

29/11/2022 16:53

Linja ajrore ekonomike britanike easyJet dhe prodhuesit Rolls-Royce thanë se kanë testuar me sukses motorin e avionit me hidrogjenin si karburant, në një koncept ‘të përfolur’ më parë por të deklaruar vetëm tani zyrtarisht.

Kompanitë pretendojnë se testimi është një “hap madhor” drejt provës së hidrogjeni mund të jetë një karburant me emetime zero për aeronautikën, shkruan rrjeti britanik Metro.

Ata thanë se testimet u kryen në bazën ushtarake të Boscombe Down në Wiltshire, në Anglinë qendrore.

EasyJet e Rolls-Royce janë bashkuar për projektin në korrik, për të demonstruar se hidrogjeni mund të përdoret si karburant avionësh, sipas tyre “prej vitit 2030 e më vonë”.

Kreu i EasyJet, Johan Lundgren tha se testi ishte një sukses për partneritetin.

“Hidrigjeni ofron mundësi të shumta për një rang avionësh, përfshi dhe ato të easyJet. Emetimi i vetëm i këtij karburanti është uji”.

Zhvillimi vjen teksa hidrogjeni ka nisur të përdoret si karburant dhe për automjetet, siç është deklaruar në Australi, ku po nisin shitjet publike të makinës së parë që funksionon me hidrogjen, karikohet për 5 minuta, dhe lëshon nga prapa vetëm ujë.

Vetura Hyundai Nexo mund të përshkojë 800 kilometra me një mbushje të plotë dhe kur lëviz në vend që të ndotë, purifikon ajrin ku kalon.

Kjo është hera e parë që teknologjia e veturave që kanë si ‘karburant’ hidrogjenin bëhet publike teksa modeli me cilindratë të vogël vendos një rekord qëndrueshmërie me vetëm 6,3 kilogramë hidrogjen mbushje, duke pastruar gjatë udhëtimit të saj rreth 400.000 litra ajër, dhe nga tubat e shkarkimit lëshon vetëm ujë.

Kjo makinë nuk prodhon CO2 dhe as emetime të tjera, siç prodhojnë zakonisht motorët me djegie të brendshme që në të njëjtën distancë lëshojnë rreth 126 kg CO2, sipas llogaritjeve.

FOTO GALERI
1/3
Linja ajrore ekonomike britanike easyJet dhe prodhuesit Rolls-Royce thanë se kanë testuar me sukses motorin e avionit me hidrogjenin

Top Channel