Video/ Ambasadori britanik uron shqip 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: Duam që marrëdhëniet e forta të vazhdojnë

28/11/2022 11:18

Në emër të Britanisë së Madhe, Ambasadori britanik Alastair King Smith ka uruar Shqipërinë për 110-vjetorin e pavarësisë.

Në një video-mesazh në Twitter, diplomati britanik krahas urimit shkruan se ky vit ka qenë i veçantë për Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve, por edhe për të personalisht. Diplomati shkruan se marrëdhëniet mes dy vendeve, duhet të vazhdojnë të forta edhe në të ardhmen.

“Më lejoni të uroj sot gëzuar Pavarësinë dhe Ditën e Çlirimit për të gjithë shqiptarët që ndodhen në Shqipëri, në Mbretërinë e Bashkuar apo në të gjithë botën. Ky ka qenë një vit shumë i veçantë për ne dhe për mua personalisht.

Gjatë gjithë këtij viti, kam pasur mundësinë të zbuloj këtë vend të mrekullueshëm dhe të shoh pasuritë dhe shumëllojshmërinë që ai ofron. Ka qenë gjithashtu një vit i veçantë për Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndërsa festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve tona.

Duam që këto marrëdhënie të vazhdojnë të forta në të ardhmen.  Prandaj sot dua t’u them të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit”- thotë King Smith urimin në gjuhën shqipe.

Top Channel