Në datën 12 tetor 2022, Fiks Fare trajtoi problematikën e familjes Prifti në fshatin Kadipashaj në Lushnjë, anëtarët e së cilës ishin lënë rrugëve, megjithëse kishin një kujdestare ligjore që u merrte pensionin dhe KEMP-et.

Anëtarët e familjes thanë për Fiksin se nuk e njihnin kujdestaren, e cila ishte nusja e njërit prej djemve. “Nuk e dimë nëse marrim pension. Lajmë, shpëlajmë. Gatuajmë vetë” thanë ata, ndërsa gjendja e shtëpisë ishte skandaloze.

E pa pastruar, me krevate e dyshekë të papastër. Rrobat e trupit po bënin muaj pa larë.

Ndërkohë, Fiksi pyeti edhe te Posta në Krutje, të cilët na thanë se 4 anëtarë të familjes marrin pension dhe ndihmë ekonomike. Por, ato ua tërheq Aida Prifti, e cila gjithashtu merr 160 mijë lekë të vjetra si kujdestare. Në total, familja merr rreth 640 mijë lekë të vjetra.

Në tetor, kujdestarja tha se do të kujdesej për familjen.

Pas këtyre premtimeve, gazetarët e Fiks Fare shkuan sërish te kjo familje, por pa lajmëruar askënd, për të parë nëse janë marrë apo jo masa. Grupi i Fiksit gjen sërish kryefamiljarin Mitër Prifti duke gatuar.

Ai po pastronte disa speca për ti skuqur. E pyesin se kush gatuan, ndërsa përgjigjet se “unë gatuaj”. Pyetjes nëse ka ardhur apo jo Aida, thotë se ka ardhur, na ka sjellë disa gjëra, po sërish ai gatuan.

Ditën që shkoi Fiksi për herë të dytë, kryefamiljari kishte gatuar gjellë me oriz dhe speca të skuqur. Ndërkohë, gazetarët e pyesin se kush pastron, na thotë se “Erjeta (vajza me aftësi ndryshe)”.

Gazetarët shkuan te dhoma ku flenë, ku konstatojnë se ndryshe nga hera e parë, janë vendosur disa çarçafë dhe jorganë. Por, dyshekët janë sërish të papastruar. Vendi është sërish i pistë, me lagështirë, urinë. Në kronikën e mëparshme, Drejtoresha e Shërbimit Social në Lushnje, Anila Çela, por edhe vetë kujdestarja ligjore Aida Prifti, premtuan se do të kujdeseshin.

Pas këtij premtimi, gazetarët telefonojnë drejtoreshën Anila Çela. Ajo na thotë se kanë marrë masa, i kanë raportuar se tani jetojnë mirë, hanë, pinë dhe pastrohen.

Por, kur i tregojnë gjendjen aktuale dhe se janë vetëm 10 % më mirë se herën e fundit, na thotë se “nëse më kanë gënjyer, po ju gënjej dhe unë”. Drejtoresha pohon se i kanë dërguar disa fotografi dhe gjendja duket mirë.

Te fotografitë që i kanë çuar drejtoreshës, janë fotografuar disa ushqime, vendi që pastrohet, krevatet e rregulluara. Por, gjendja aktuale është shumë herë më ndryshe. Gjella as shihet dhe jo më të hahet. Dyshekët me lagështirë, urinë. Vendi i papastër.

Shërbimi Social vetëm sa monitoron gjendjen e kësaj familje nëpërmjet fotografive.

Nga krahasimi i Fiks Fare, rezulton një ndryshim tepër i madh nga fotot e drejtoreshës me ato të gjendjes aktuale. Pavarësisht se kujdestarja ligjore ka shkuar disa herë, por jo përditë, sërish ata gdhihen dhe ngrysën vetëm.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA