Shkolla e ndërtuar së fundmi, u jepte mësim 22 nxënësve nga katër fshatra të ndryshëm në jug të territorit të pushtuar të Bregut Perëndimor, ku rezidentët palestinezë përballen me dëbim të detyruar.
Forcat izraelite kanë shembur sot shkollën fillore të ndërtuar së fundmi në zonën Masafer Yatta në Bregun Perëndimor, shkruan rrjeti i Katarit, Al Jazeera.
Zyrtarët e rezidentët vendas thanë se ushtria fillimisht kishte bastisur zonën dhe më pas shembën shkollën që ndodhej në fshatin Isfey al-Fauqa.
“Ata nisën shembjen teksa mësimi me nxënësit vijonte brenda saj,” tha kreu i këshillit të Masafer Yatta, Nidal Younis, për rrjetin Al Jazeera.
“Ata përdorën bomba zhurmuese për të trembur fëmijët që të dilnin jashtë”, shtoi ai.
Gjykata e lartë izraelite refuzoi dje një kërkesë për ngrirjen e urdhërit të shembjes së shkollës, sipas Këshillit Norvegjez të Refugjatëve.
Një përfaqësues ushtarak izraelit për çështjet administrative tha se shkolla ishte ndërtuar “ilegalisht” në një zonë të dizenjuar si “territor zjarri”.
#MasaferYatta residents welcomed us today at the Isfey Al Fauqa school, which is under imminent threat of demolition, along with 4 other schools. Hampering access to education pressures these Palestinian communities to leave their homes #SaveMasaferYatta #stopdemolitions pic.twitter.com/nrFUDifUtH
— Lynn Hastings (@LynnHastings) November 22, 2022
Institucioni ishte ndërtuar vetëm një muaj më parë dhe kishte dy javë që funksiononte, duke shërbyer 22 nxënës nga katër fshatra të Masafer Yatta, deri në klasën e pestë.
Ajo është një prej rreth 12 shkollave të ndërtuara në Bregun Perëndimor sipas programit të ministrisë palestineze të arsimit me fonde të Bashkimit Evropian, tha aktivisti vendas Fadi al-Umour, për Al Jazeera.
Të gjitha shkollat e ndërtuara sipas këtij projekti që ndodhen në të ashtuquajturën Zona C – kur 60 përqind e Bregut Perëndimor është nën kontrollin e Izraelit – janë një sfidë ndaj kufizimeve të Izraelit për zhvillimin palestinez në vend.
Ministria palestineze e arsimit dënoi shembjen e shkollës duke e quajtur “krim djallëzor”.
“Përveç krimeve të vazhdueshme të pushtuesit, ata po godasin sektorin e arsimit, nxënësit dhe kuadrot arsimore, në kundërshtim me rregullat e ligjet ndërkombëtare,” thuhej në deklaratë.
Shembja e shkollës vjen një ditë pasi një nxënës 18-vjeçar Palestinez u qëllua për vdekje nga forcat izraelite jashtë kampit të refugjatëve në Xhenin, në veri të Bregut Perëndimor.
Masafer Yatta, i përfshirë në atë që Izraelit quan Zona C, është një rajon në jug të Hebron, ku në rreth tetë fshatra jetojnë më shumë se 1,200 Palestinezë, përfshi 500 fëmijë, të cilët përballen me dëbim sipas një vendimi të majit 2022 të gjykatave izraelite.
Shumë familje jetonin aty që para pushtimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli në 1967. Ata jetojnë si barinj e fermerë por përballen me masa të shumta shtypëse nga politikat e ushtrisë izraelite duke përfshirë ndalimet e ndërtimeve, kufizime në rrjetin e energjisë elektrike dhe të ujit.
Komunitetet palestineze rrethohen nga një kolonitë e reja ilegale izraelite në rritje dhe jetojnë nën dhunën e vazhdueshme nga të ardhurit, policia e ushtria izraelite.
Top Channel