Në imazhet e mëposhtme përshkruhet e kaluara e makthit e një spitali të braktisur psikiatrik në Itali, i përfolur për teknika çnjerëzore të trajtimit të pacientëve dhe për ekzekutime të ushtarëve të Luftës së Dytë Botërore.
Më shumë se 70 ushtarë të ‘Republikës Socialiste të Italisë’ sic quhej vendi në kohën fashiste, janë masakruar në klinikën Vercelli në Piemonte, në veri të vendit, pasi mbaheshin në një stadium aty pranë që përdorej si kamp burgimi.
Më 12 maj 1945 raportohet se një grup partizanësh ngarkuan të burgosurit në kamionë për t’i sjellë në klinikë, duke i mbyllur aty e duke detyruar stafin të largohej, shkruan britanikja Daily Mail.
Shumica e tyre thuhet se janë ekzekutuar me teknika të tmerrshme, disa prej të cilëve të vrare me armë apo të shtypur nga rrotat e kamionëve.
Në vitet 1960-të reputacioni azilit psikiatrik pësoi një tjetër goditje kur shumë infermierë akuzonin drejtorin për teknika të dhunshme fizike e psikologjike me pacientët.
Azili mendor i ndërtuar në vitet 1930-të më në fund u mbyll në 1978 pas miratimit të ligjeve përkatëse.
Urdhri i njohur si ‘Ligji Basaglia’ sipas emrit të psikiatrit që e propozoi Franco Basaglia, kërkonte mbylljen e këtyre vendeve të izolimit dhe zëvendësimin e tyre me qendra komunitare të shërbimit të pacientëve.
Pas mbylljes vendi i përdor më pas si spital i zakonshëm deri në vitin 1991, kur u zëvendësua nga spitali i ri i ndërtuar aty pranë.
Vendi mbetet tashmë i rrënuar, i mbushur ende me të dhënat personale të pacientëve të dikurshëm.
Një maskë e bardhë në një karrige me rrota sjell cilësitë e tmerrit që vendi zotëronte dikur.
Një fotografi tregon dosje me të dhënat e operacioneve të vitit 1953.
Në një tjetër shihet një altar lutjeje i braktisur i mbuluar me një copë të murrme.
Imazhet janë marrë nga fotografia vendase Annalisa, 30 vjece, që i dërgon nga Milano.
Ajo thotë se hyri brenda ndërtesës duke kapërcyer një mur ndarës, pasi nuk dëshironte të shihej në hyrjen kryesore.
Ajo thotë: “Të hysh në vende të braktisura është gjithmonë impresionuese, aq më shumë në një spital mendor ku mund të perceptosh vuajtjet e pësuara në të kaluarën”.
Ajo shton se kompleksi ka 20 pavjone, dhe një kishë të vogël me disa afreske të prishura nga koha.
Në to gjen ende kartat e hyrjes, daljes apo vdekjes së pacientëve, si dhe gazeta e pajisje psikiatrie.
Top Channel