Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët ose jo të votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore, mund të zgjidhen kryetarët e rinj në katër komunat e Kosovës, si në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kështu çfarëdo rezultati në zgjedhjet e 18 dhjetorit, ato do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.
Pas braktisjes së institucioneve të Kosovës, qëndrimi zyrtar i Listës Serbe deri më tani është se ky subjekt nuk do të merr pjesë në këto zgjedhje. Po kështu skeptike janë shprehur edhe subjektet tjera politike nga komuniteti serb.
Megjithatë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të ligjeve në fuqi as çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje nuk është e kufizuar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja.
“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një komunë të caktuar, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Elezi.
Zëdhënësi Elezi bëri të ditur se për zgjedhjet në veri, fletëvotimi për zgjedhjen e një kryetari mund të ketë edhe vetëm një kandidat.
“As çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar nuk është e kufizuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale. Pra, fletëvotimi mund të ketë edhe vetëm një kandidat, i cili certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të një komune të caktuar”, tha ai.
Elezi si shembull përmend zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, për kryetar të komunës së Ranillugut ku ka pasur vetëm një kandidat në fletëvotim.
“Rast të tillë ne kemi pasur në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, pra për zgjedhjet për kryetar të komunës së Ranillugut, kemi pasur vetëm një kandidat në fletëvotim”, thekson ai.
Pas dorëheqjeve të katër kryetarëve nga radhët e komunitetit serbë në katër komunat veriore, presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme më 18 dhjetor për Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.
Top Channel