NATO e BE solidaritet me Poloninë. Ushtria polake në gatishmëri të lartë

16/11/2022 09:04

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i aleatëve të Polonisë pas lajmit se raketa ruse kishin vrarë dy persona në territorin polak.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shkroi në një postim në Twitter, se ishte “i tronditur” nga ideja që një raketë apo municione të tjera të kishin tokën e një anëtari të bllokut.  “Ne jemi në anën e Polonisë”, theksoi Michel.

Në një linjë qëndrimi me të ishin dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe kryeministri holandez Mark Rutte. Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e siguroi gjithashtu Poloninë për mbështetjen e saj.

Ajo shkroi në Twitter se mendimet e saj ishin me “aleatin dhe fqinjin e ngushtë” Poloninë. Gjermania është në kontakt të ngushtë me “miqtë e saj polakë dhe aleatët e NATO-s”, theksoi ajo. Aleanca shprehu solidaritet të plotë me vendin anëtar të saj. Presidenti polak Andrzej Duda tha se gjatë takimit të sotëm të NATO-s ka shumë të ngjarë të aktivizohet Neni 4, sipas të cilit vendet anëtare mund të sjellin për diskutim çështje shqetësuese, që lidhen kryesisht me sigurinë e njërit prej tyre.

Që nga krijimi i NATO-s në vitin 1949, Neni 4 është aktivizuar disa herë, për shembull nga Turqia. Polonia siguroi se ështe në kontakt të ngushtë me aleatët për të sqaruar situatën, por ndërkohë ajo e ka vendosur sakaq ushtrinë e saj në gjendje gatishmërie luftarake, sidomos në raport me ruajtjen e hapësirës ajrore.

Ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkēvičs hodhi idenë që nëse konfirmohet se raketat janë lëshuar nga Rusia, NATO-ja të mbështesë Poloninë dhe pjesë të Ukrainës me një sistem kundërajror.

Top Channel