Mbrëmjen e sotme do të zhvillohet ndeshja e madhe miqësore mes Shqipërisë dhe kampionëve të Europës të Italisë në një takim ku interesimi është maksimal pavarësisht statusit të kësaj përballjeje.
Në fushën e blertë për të dyja skuadrat do të jenë lojtarët më të mirë kuqezinj, me pak mungesa dhe përballë tyre disa nga emrat që ngritën trofeun e kampiones së Europës në Uembli të Londrës.
Ndërkohë që drejtësinë e kësaj ndeshjeje do ta vendosë një treshe arbitrash shqiptarë të Kosovës, Genc Nuza do jetë arbitri kryesor, teksa ndihmës të tij do jenë Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, gjyqtarë të Superligës kosovare dhe gjithashtu gjyqtarë të FIFA-s.
Në një rrëfim për Top Channel Nuza tregon se si e mësoi lajmin për të drejtuar këtë ndeshje luksi.
“Kur federata e Kosovës më njoftoi për këtë ndeshje pata një ndjesi të veçantë, pasi bëhet fjalë për të drejtuar një ndeshje ku në fushë do të jenë kampionët e Europës dhe 4 herë kampionët e botës si dhe kombëtarja shqiptare e cila ka një ekip shumë kualitativ që është gjithmonë në rritje”, shprehet Genc Nuza.
Të katërt arbitrat, së bashku me gjyqtarin e katërt që është nga Tirana, po i FIFA-s, Juxhin Xhaja zhvilluan mbrëmjen e së martës seancë e tyre stërvitore.
“Kjo është hera e dytë për mua që vij në këtë stadium, herën e parë isha si tifoz, sot do të më duhet të vendos drejtësinë në ndeshjen Shqipëri-Itali”, tha Nuza.
Si një shqiptarë në një ndeshje të tillë sa e vështirë do të jetë paanësia për arbitrat e Kosovës?
“Sigurisht që ana profesionale është e shtrenjtë, miqësitë, shoqëritë dhe gjërat e tjera le t’i lemë jashtë vijave të bardha të fushës së gjelbër”.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Italisë do të zhvillohet në orën 20:45 dhe për të gjithë ata që nuk patën mundësi të siguronin bileta për këtë ndeshje, do të kenë mundësinë ta ndjekin drejtpërdrejtë në Digitalb.
Top Channel