Ekspertët: Bordi i Transparencës, një shpikje alla shqiptare.

Qeveria fsheh formulën më të cilën llogaritet çmimi dhe fsheh taksat e shumta që vjel nga karburantet.

Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve u ngrit mbi bazën e një akti normativ të ekzekutivit shqiptar në kushtet e një krize globale. Por sa gjatë mund të veprojë një bord i tillë dhe a e ndihmon apo e frenon tregun shqiptar.

Gjergj Erebara, Gazetar Ekonomie: Bordi i Transparencës është një sajesë tipike shqiptare, që nuk duhet të kishte ekzistuar kurrë. Formula sesi përcaktohet çmimi është një gjë që qeveria e mban sekret, nuk e publikon. Ajo që vëmë re është që në raport me tregun ndërkombëtar nuk përputhen ulje-ngritjet e Bordit, me ulje-ngritjet në bursë. Mungesa e transparencës lidhet me faktin e thjeshtë që qeveria nuk do që ta thotë konkretisht që kur ne paguajmë 230 lekë për një litër naftë, nga këto 110 lekë janë taksa që i merr qeveria dhe 120 lekë është çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar. Fakti që nuk ka mangësi në treg, kjo tregon që çmimi i naftës nga Bordi vendoset më i lartë sesa çmimi që do të kishte vendosur tregu vetë.

Qytetarët:

“Unë isha në Kosovë dhe nafta atje kushtonte 1400 lekë. Këtu është një çmenduri. Dhe nuk po flas vetëm për karburantet, por edhe buka, veza, djathi, gjithçka. Kap bukën sikur ngre një qime floku, nuk peshon fare. Djathi 10-11 mijë lekë, kush e blen. Këtu është bërë për të ikur natën. Dimë të bëjmë shtet vetëm duke vjedhur”.

“Unë lëviz me makinë, sepse kam fëmijë shumë të vogël. Vetëm kur shkoj tek pediatrja, dhe për problem shëndetësore. Shëtitje me makinë nuk bëjmë. E marr në karrocë fëmijën dhe dalim, nuk e kemi atë luks të shëtisim me makinë”.

Top Channel