Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç kërkon ndihmën e Komisionit të Venecias për të zgjidhur mosmarrëveshjet e brendshme.

Kërkesa e Gjukanoviç është që Komisioni të nxjerrë një opinion urgjent për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, i cili po shkakton debate të shumta në opinion, por praktikisht po e zhyt vendin në një krizë politike. Këshilltarët për sistemin kushtetues dhe çështjet juridike të presidencës malazeze vënë në dukje sesi pasojë e rivotimit të mundshëm të Ligjit të diskutueshëm për ndryshimin e Ligjit për Presidentin në seancën e ardhshme parlamentare, dhe hyrja në fuqi e tij, mund të shkaktojë probleme në rendin kushtetues të Malit të Zi.

Ndryshimet e miratuara të Ligjit për Presidentin, në fillim të këtij muaji, parashikonin që nëse presidenti i vendit nuk propozon një të mandatuar për formimin e qeverisë atëherë mandatin e merr një kandidat që ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Kjo do t’i mundësonte kandidatit me shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh, Miodrag Lekic formimin e qeverisë së re malazeze. Gjukanoviçi ndërkohë e refuzoi në shtator propozimin që Lekiç, kandidat i partive që miratuan ndryshimet, që të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Partitë opozitare thanë se ndryshimet e përfshira në ligj paraqesin shkelje të Kushtetutës së Malit të Zi. Shumica parlamentare e udhëhequr nga Fronti Demokratik me Demokratët dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviç, mbështesin zgjedhjen e një qeverie të re me në krye Lekiç, ndërsa blloku i opozitës dhe partive të pakicave të udhëhequr nga partia e Gjukanoviç insiston që të organizohen zgjedhje të reja.

Top Channel