Për shkak të ankesës së një nxënësi dhe prindërve të tij në shkollën e mesme Partizani për sjellje jo etike të mësueses së fizikës, ndaj saj që në vitin 2018 nisi një hetim i pavarur me një grup pune nga drejtoria rajonale arsimore dhe avokati i popullit, që nxori në pah edhe incidente të tjera të raportuara nga nxënës për ushtrim presioni në olimpiada.

Në dokumentin që top channel disponon rezulton se ka pasur një sërë ankesash nga prindër për mësuesen e fizikës që kanë bërë që ajo të marr masë disiplinore për “paralajmërim për largim nga puna”, por edhe pse Ministria e Arsimit është ndodhur përballë kësaj situate ka vendosur për shpërnguljen e mësueses në një institucion arsimor tjetër, po në kryeqytet duke sjell zvarritjen e problemit.

Por historia përsëritet edhe në shkollën ku është transferuar mësuesja e fizikës, këtu në gjimnazin Çajupi.

Ndaj nxënësit kanë bojkotuar mësimin pasi ankesat e përsëritura ndaj saj nuk kanë marr një përgjigje. Ministria e Arsimit duket se ka zgjedhur të mos e zgjidh problemin, por ta zhvendos atë nga një institucion në tjetrin.

“Nuk futemi në mësim sepse ora me të është stresuese dhe jemi shumë të shqetësuar. Jemi të dhunuar psikologjikisht. Që në ditën e parë të shkollës unë kam pasur një konflikt me të dhe ajo më ka ofenduar në sy të gjithë klasës dhe ke frikë të flasësh gjatë orës së mësimit sepse të bullizon. Asnjë nuk ka marr masa e kanë lënë pas dore. Ne nuk do futemi në mësim deri sa të zgjidhet”, thanë nxënësit.

Peticionet e prindërve drejtuar drejtorisë së shkollës nuk janë marr në konsideratë.

Top Channel kërkoi një reagim prej tyre, por nuk pranuan të prononcohen, ndërsa dikush nga stafi pedagogjik i prezantuar si mësuesi i fiskulturës, jashtë shkollës me dhunë kërkoi që të largohemi.

 

Top Channel