Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për moszbatimin e fashës 800 kw/h as për muajin nëntor.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku, me anë të një konferencë për shtyp, ku tha se çmimi i energjisë ka rënë edhe në bursë në fillim të nëntorit.
Balluku ka bërë me dije gjithashtu se qindra kompani kanë aplikuar për të ofruar instalimin e paneleve diellore, dhe se qeveria është angazhuar të rrisë fondet në mënyrë që të shtojë numrin e aplikimeve nga 2000 në 4000.
Deklaratë e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku
Përshëndetje të gjithëve!
Jam këtu me ju sot për të komunikuar për situatën energjetike, për krizën energjetike e cila na shoqëron prej 14 muajsh tashmë nga shtatori i vitit 2021 kur Kryeministri Rama doli publikisht për të thënë se Shqipëria, ashtu si gjithë Europa, po përballej me një krizë energjetike, e cila më pas u agravua në muajin shkurt menjëherë mbas nisjes së agresionit rus mbi Ukrainën. Tregjet ndërkombëtare të futura në panik për mungesën e gazit dhe të produkteve të tjera të energjisë sigurisht e reflektuan këtë me çmime tmerrësisht të larta, duke arritur në muajin gusht deri në 1040 euro për megavat/orë shitja e energjisë elektrike.
Shqipëria padyshim është një vend që prodhon energji të rinovueshme 100%, por Shqipëria është një vend që nuk arrin të prodhojë të gjithë energjinë elektrike të nevojshme për tregun. Në vitet më të mira hidrike ne prodhojmë vetëm 75% të kësaj nevoje, ndërkohë që në vite të thata si ky që po kalojmë tashmë dhe që është viti i tretë konsekutiv pa reshje, sigurisht që Shqipëria po prodhon në mënyrë minimale nga kaskada e Drinit. Për këtë arsye na është dashur që ti drejtohemi importeve, por këto importe siç të gjithë tashmë e dinë, kanë çmime të papërballueshme për të gjithë shtetet në këto momente dhe sigurisht për qytetarët.
Megjithatë në kushtet e një krize të krijuar prej luftës së Rusisë, agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe sigurisht në kushtet e një inflacioni mbarë botëror dhe sidomos ky inflacion sot në Europë ndihet me nivele dy shifrore, duhet thënë që Shqipëria e ka përballuar në mënyrën më të mirë. E ka përballuar në mënyrën më të mirë pasi kemi marrë një vendim të guximshëm, vendimin për të mbrojtur 100% abonentët tanë me një mburojë sociale energjetike dhe jo vetëm abonentët familjarë, por edhe abonentët e bizneseve të vogla, duke qenë se ne e konsiderojmë biznesin e vogël si motori i prodhimit ekonomik në Republikën e Shqipërisë.
Kemi mbrojtur gjithashtu të gjitha ato biznese të cilat janë të lidhura në tensionin e mesëm, duke i mbrojtur nga ekspozimi për të dalë në tregun e lirë dhe pas bisedave shumë të gjata që kemi pasur me të gjithë grupet e interesit jemi duke analizuar sesi mund të mbrojmë në të ardhmen edhe ato biznese që tashmë ndodhen si klientë të tregut të lirë dhe kanë prej më shumë se dy vjetësh që i drejtohen këtij tregu të lirë për të siguruar sasitë energjetike. Ditët e fundit madje kemi pasur një rast konkret ku një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit në Shqipëri e ka pasur të pamundur, jo vetëm për shkak të çmimit, por për shkak të sasive që të siguronte sasinë e duhur për ta mbajtur ndërmarrjen në punë. Kështu që ne kemi filluar ti adresojmë këto raste një pas një dhe padyshim do të japim një zgjidhje edhe për këtë grup të biznesit mjaft të rëndësishëm në kontributin e tij në ekonominë shqiptare. Por, megjithatë duhet thënë që Qeveria Shqiptare mundohet çdo ditë që të adresojë të gjithë problematikat të cilat kanë dalë nga ky inflacion i rëndësishëm i luftës. Një inflacion i papërballueshëm, por edhe i pashmangshëm.
Megjithatë ne duhet të themi se sot duhet të komunikonim pas një jave, ashtu siç unë komunikova me publikun në datën 1 nëntor, për të thënë se faturimi teknik nis me javën e dytë të nëntorit dhe ne do të merrnim kohë për të analizuar të gjithë faktet dhe për ti dhënë mundësi edhe vetes për të pasur prurje më të mira në kaskadën e Drinit. Megjithatë nga situata ekzistuese kemi vërejtur disa komponentë, disa që janë pozitiv dhe disa të tjerë që nuk sollën atë që ne prisnim.
Në radhë të parë unë dua të falënderoj të gjithë qytetarët dhe të gjithë bizneset, të cilët kanë adresuar thirrjen tonë për ulje të konsumit të energjisë. Në përfundim të muajit tetor të gjitha shifrat tregojnë se në Republikën e Shqipërisë konsumi i energjisë krahasuar me një vit më parë është 7% më pak dhe kjo është një shifër shumë e rëndësishme.
Ne e kemi nisur duke dhënë shembullin tonë. E kemi nisur nga administrata, duke vendosur një target 15% ulje të konsumit vjetor krahasuar me një vit më parë dhe kjo është adresim i direktivës së Bashkimit Europian. Të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore kanë marrë masa përmes administratorëve të energjisë për të ulur konsumin dhe pas një analize që ne do të bëjmë pas datës 12 nëntor do t’ju themi publikisht se cilat ndërmarrje kanë arritur të kapin tragetin dhe cilat kanë arritur të shkojnë edhe përtej targetit. Megjithatë të gjithë së bashku ne kemi kursyer 7% të konsumit vendor të energjisë dhe kjo është një shifër për tu përshëndetur që na jep edhe ne mundësinë që të rishikojmë çështjen e fashës.
Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që kemi pritur reshje këtë fundjavë, por të cilat kanë qenë të pakonsiderueshme përsa i përket kaskadës së Drinit. Ka pasur reshje në vende të ndryshme të Republikës së Shqipërisë, sidomos në jug dhe juglindje, por në zonën e veriut reshjet kanë qenë të pakta. Megjithatë sipas të dhënave që ne kemi presim që të ketë evente meterologjike në zonën e interesit, në kaskadën e Drinit, por sigurisht edhe prurje nga Maqedonia e Veriut pas datës 13 nëntor. Dhe nga ana tjetër duhet thënë se politikat rregullatorë të Bashkimit Europian përsa i përket situatës së energjisë elektrike dhe të tregjeve të gazit kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e çmimit të importeve për energjinë elektrike.
Kështu, për t’ju dhënë një shembull. HUPX që është bursa parashikuese ka pasur si parashikim në fillim të muajit tetor për blerjet në muajin dhjetor 402 euro për megavatorë, ndërkohë që në fillim të nëntorit ky parashikim i së njëjtës bursë, bursës hungareze, është 289 euro për megavatëorë. Sigurisht këto nuk janë ulje të konsiderueshme nëse ne i krahasojmë me çmimet që blihej energjia në vitin 2020 apo fillim të vitit 2021 me 40 apo 50 euro, por krahasuar me 1040 euro apo krahasuar me 450 euro që blihej në shtator, një ulje nga 400 në 280 apo në 250 euro është një ulje me të vërtetë që ne do të na ndihmonte në këto momente.
Duke u bazuar mbi të gjithë faktorët që përmenda, Qeveria Shqiptare ka vendosur të mos aplikojë fashën 800 kilovatorë për abonentët familjarë gjatë muajit nëntor. Kjo është një kohë për solidaritet. Në rast se të gjithë së bashku vendosëm të bashkëpunojmë, në qoftë se të gjithë së bashku, ashtu siç kemi bërë në muajin shtator dhe tetor, padyshim Qeveria Shqiptare është e angazhuar që të mos ekspozojë asnjë abonent familjar ndaj fashës 800 kilovatorë.
Megjithatë do të doja të ndaja me ju një lajm shumë të mirë. Kemi lançuar në muajin tetor një program të ri i cili ka të bëjë me instalimin e njësive të prodhimit të energjisë elektrike për ngrohjen e ujit, e paneleve diellore. Pasi kemi mbyllur procesin për ato shoqëri të cilat do të ofrojnë produktin dhe instalimin e këtyre paneleve diellore, në datën 1 nëntor kemi hapur garën për të gjithë qytetarët të cilët kanë dëshirë të aplikojnë për të pasur një njësi gjeneruese të energjisë elektrike përmes paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Vetëm në ditën e parë të kësaj gare kemi pasur më shumë se 120 aplikime për të arritur dhe për të mbyllur javën e parë me 1026 aplikime.
Dua të them që kemi shifra për të ndarë me ju. 3 panele, 3 njësi, 3 familje i kanë instaluar dhe i kanë në fuqi të plot gjeneruese. Madje, unë i kam kërkuar Agjencisë së Efiçencës së Energjisë që ti bëjë publike këto tre familje pasi janë shembujt e parë e një iniciative të shkëlqyer. Me të vërtetë ne nuk do ta prisnim që do të niste puna dhe do të përfundonte shumë shpejt për disa nga familjet që javën e parë me dëshirën e madhe për të ulur konsumin e energjisë dhe ashtu siç e kemi thënë 20% e konsumit familjar shkon për ngrohjen e ujit. Ndërkohë që janë miratuar 220 aplikime dhe të tjerat janë në fazë miratimi. Do të ketë dhe refuzime padyshim dhe unë do t’ju kërkoja qytetarëve të mos mërziten pasi kemi një sërë kriteresh që duhen përmbushur. Askush nuk i ndalon që ata të përmbushin kriteret dhe të ri aplikojnë. Në rastet kur nuk do të jetë e mundur pasi kriteret nuk do të përmbushen ne jemi të detyruar që ti refuzojmë disa nga aplikimet.
Megjithatë unë do doja të thoja sot që duke pasur parasysh të gjithë ecurinë që po ndodh me aplikimet në Agjencinë e Efiçencës së Energjisë për këtë program kaq të rëndësishëm, Qeveria Shqiptare angazhohet që të rrisë fondet e Agjencisë përmes granteve të huaja apo dhe buxhetit të shtetit duke shtuar numrin nga 2 mijë aplikime në 4 mijë aplikime përsa i përket këtij viti, deri në 31 dhjetor 2022. Ky besoj është një lajm i mirë. Ne sigurisht do të vazhdojmë që të masim të gjithë komponentët e këtij programi dhe çdo herë këto komponentë do të jenë pozitiv dhe të kënaqshëm ne detyrimisht do të shikojmë mundësitë tona për ekspansion të këtij programi.
Edhe një herë ju falënderoj që keni mbështetur Qeverinë Shqiptare me nisëm për konsumin. Ju falënderoj që i jeni përgjigjur kaq shpejt për një program inovator siç është ai i instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Ne do të jemi këtu për t’ju mbështetur. Qeveria Shqiptare ka një angazhim të plot për të mbështetur çdo qytetar dhe çdo biznes në Republikën e Shqipërisë përsa i përket krizës energjetike. Mburoja energjetike sociale do të jetë aty në çdo moment, por ne mund t’jua dalim vetëm nëse jemi të gjithë së bashku.
Shumë faleminderit për vëmendjen.
Çfarë është fasha 800kWh?
Në kushtet ku një familje shpenzon më shumë se fasha 800kW/h në muaj, një kilovat llogaritet me 42.85 lekë në vend të 11 lekë/ kilovat që është aktualisht.
Fashat e energjisë mbi 800 kilovat/orë në muaj pritet të prekin vetëm 4-8% të abonentëve familjarë, ndërsa do t’i japin 15.5 milionë euro më shumë kompanive energjetike për të blerë energji.
Top Channel