Partitë e djathta, përfshirë atë të ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu duket të kenë fituar zgjedhjet e të martës në Izrael.
Qeveria e re e Izraelit pritet të jetë koalicioni më i djathtë i mbështetur edhe nga partia nacionaliste e Zionizmit fetar, anëtarët e së cilës përdorin retorikë nxitëse anti-arabe dhe anti-LGBTQ. Izraelitët shpresojnë që me këto zgjedhje të marrë fund kriza politike disa vjeçare me qeveri jo të qëndrueshme.
Rezultatet e zgjedhjeve në Izrael zbehin edhe më tej shpresat për paqe me palestinezët dhe krijojnë terrenin për mosmarrëveshje të mundshme me administratën e presidentit Biden dhe mbështetësit liberalë të Izraelit në SHBA.
Zgjedhjet e së martës ishin të pestat që janë mbajtur në më pak se katër vjet. Izraeli mbetet një vend i ndarë si kurrë më parë.
Benjamin Netanjahu është në proces gjyqësor me një sërë akuzash për korrupsion, që ai i ka mohuar. Përkrahësit e tij thonë se ai është viktimë e një gjuetie shtrigash. Kundërshtarët e quajnë mashtrues dhe kërcënim për demokracinë.
Edhe nëse zoti Netanjahu dhe aleatët e tij dalin fitimtarë, mund të duhen javë të tëra për të përfunduar negociatat për formimin e një qeverie koalicioni.
Zoti Netanjahu është kryeministri më jetëgjatë duke qeverisur për 12 vjet pandërprerë para se të humbiste pushtetin nga koalicioni i udhëhequr prej kryeministrit në largim, Yair Lapid i cili përfshinte edhe një parti arabe duke shënuar herën e parë që një grupim politik arab ishte bërë pjesë e qeverisë së Izraelit.
Një nga rezultatet më të mira është arritur nga partia e Zionizmit Fetar që udhëhiqet nga ligjvënësi i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, i cili doli partia e tretë. Mbështetësit e zotit Ben-Gvir që ishin mbledhur për të festuar rezultatin brohorisnin “Vdekje terroristëve”.
Zoti Ben-Gvir i ka përshkruar kolegët arabë në parlament gjithashtu si “terroristë”.
Ai është ndjekës i rabinit racist, Meir Kahane, të cilit iu ndalua hyrja në parlament dhe partia e të cilit u cilësua grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Kahane u vra në Nju Jork në vitin 1990.
Axhenda e tij kërkonte ndalimin e martesave ndërmjet arabëve dhe hebrenjve, heqjen e shtetësisë izraelite për arabët dhe dëbimin e një numri të madh palestinezësh.
Por ndërsa zoti Kahane nuk shihej si politikan i pëlqyer, Ben-Gvir është një nga politikanët më popullorë të Izraelit, falë paraqitjeve të tij të shpeshta në media, humorit, aftësisë për të shmangur kritikat dhe thirrjeve për një linjë më të ashpër kundër palestinezëve në një kohë luftimesh të ashpra në Bregun Perëndimor. Të rinjtë ultra-ortodoksë janë ndër mbështetësit e tij më të fortë.
Zoti Ben-Gvir ka thënë se do të kërkojë postin e kabinetit që do të mbikqyrë forcën policore të Izraelit.
Pronari i një kafeneje në Jerusalem, Yossi Zarifi dhe përkrahës i Benjamin Netanjahut shpreson që zoti Ben-Gvir të mbajë qëndrime më të moderuara.
“Ben-Gvir është befasia e këtyre zgjedhjeve. Shpresoj për qeverinë e djathtë, dhe për hir të shtetit që ai të moderohet, siç ka thënë ish-kryeministri Ariel Sharon, “Atë që shihni në pushtet, nuk e shihni nga opozita”, thotë zoti Zarifi.
“Jam i kënaqur me rezultatet sepse kemi pritur një qëndrim të qartë të elektoratit. Jemi të lumtur që kemi një përgjigje të prerë dhe shpresojmë që për katër vjet të kemi një qeveri të fortë”, thotë Danieli, banor i Jerusalemit.
“Mua nuk më pëlqen partia e Netanyahut, por ne jemi demokraci. Pushtetin e merr ai që fiton”, thotë banori tjetër i Jerusalemit, Richard Bell.
Në Izrael, votuesit votojnë për partitë, jo për politikanë individualë.
Asnjë parti nuk ka fituar ndonjëherë shumicën e vetme, dhe krijimi i koalicionit është i nevojshëm për të qeverisur./VOA
Top Channel