Ish-mjeshtri i kamuflazhit në CIA, tashmë ndihmon njerëzit me proteza

02/11/2022 20:22

Për gati tre dekada, Robert Barron, ka krijuar proteza silikoni për njerëzit që kanë humbur gjymtyrët, apo pjesë të fytyrës, për shkak të një sëmundjeje apo një lëndimi.

Ndër pacientët e tij kanë qenë persona që i kanë mbijetuar kancerit apo vetëvrasjes, dhe madje edhe një vajzë e vogël të cilës i kishte këputur veshin një rakun.

Zoti Barron ka krijuar dhe rikrijuar fytyra gjatë gjithë jetës së tij.

Karriera e tij filloi në vitet 1960, kur punonte si ilustrues për një revistë të Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Më pas filloi punë në CIA, ku vuri në përdorim aftësitë e tij artistike për të krijuar replika të dokumentave.

Në vazhdim ai u bë ekspert për kamuflazhin, duke punuar me paruke, maska dhe proteza të specializuara.

Kur u largua nga CIA në vitin 1993, ai e kishte të qartë se si t’i vinte në përdorim aftësitë e fituara gjatë jetës së tij profesionale.

“Nëse mundesh të ndryshosh identitetin e dikujt, atëherë mund t’iu rikthesh identitetin edhe atyre që kanë pësuar shpërfytyrim”, thotë zoti Barron.

Gjatë 30 viteve të punës, ai ka ndihmuar mijëra pacientë. Një ndër pacientët e tij është Wayne Gearhart nga Virxhinia Perëndimore. Zoti Gearhart është i mbijetuar nga kanceri, prej të cilit humbi edhe hundën.

“Kisha një tumor brenda hundës dhe nëse nuk do ishte hequr, do të përhapej. Prandaj, u desh të hiqnin të gjithë hundën që të siguroheshin se ishte hequr i gjithë tumori. Por, do ta ndreqim këtë fundjavë! Kur të largohem që këtu, do të jem duke buzëqeshur”, thotë zoti Gearhart.

Detyra kryesore e zotit Barron është të krijojë proteza të posaçme dhe me pamje realiste. Prandaj përshtatja është pjesë thelbësore e punës së tij; deri edhe ngjyra e protezës duhet të përshtatet në mënyrë perfekte me ngjyrën e lëkurës së pacientit. Zoti Barron thotë se e mësoi punën nga mjeshtra si artisti i makiazhit në Hollivud, John Chambers, i cili punoi për filmin e vitit 1968 “Planeti i majmunëve”, si dhe punoi herë pas here edhe për CIA-n.

“Realizmi është teknika ideale për ta bërë diçka që të duket ashtu siç duhet. Veshi, syri, hunda, fytyra”, thotë zoti Barron.

Ai kujton se si në një moment zoti Chambers e ftoi të punonte në Hollivud, por ai iu përgjigj negativisht ftesës. Ai thotë se burimi kryesor i gëzimit dhe frymëzimit të tij janë pacientët e vërtetë, që ia kanë nevojën shumë më tepër se aktorët e Hollivudit.

Ai vazhdon të shfrytëzojë aftësitë e perfeksionuara në agjensinë kryesore amerikane të zbulimit për të ndihmuar njerëzit në jetën e përditshme./VOA

Top Channel