Tensionet po japin shenjat e para të shpërthimit në veri të Kosovës: Një makine në Leposaviç që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) i është vënë zjarri, njoftoi policia, teksa ende nuk është mësuar se cilët janë autorët e ngjarjes.

Incidenti vjen vetëm pak ditë përpara se skadojë afati i 31 tetorit, kur parashikohet përmbyllja e procesit të riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.

Që nga 1 shtatori, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ky është rasti i tretë i djegies se automjeteve apo të pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre. Zëdhënësja Nora Fetoshi, u shpreh se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë në këtë mënyrë të frikësojnë qytetarët, që kanë nisur të konvertojnë targat.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, doli me paralajmërimin e bllokimit të rrugëve nëse Kosova konfiskon makinat dhe targat. Qeveria e Kosovës, më herët kishte thënë se pas 31 tetorit, makinat me targa serbe, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës. Kreu i saj, Goran Rakic, i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Goran Rakiç, Lista Serbe: 

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore. Presidenti Vuçiç pohoi se nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit. Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne në të vërtetë, atë kërkojmë, por pastaj nuk e dimë sesi mund të shndërrohet kjo në dicka tjetër dhe si do të zhvillohet situata në terren”.

Vetë Vuçiç deklaroi se nuk ka dorëzim dhe se targa KM mbetet. KM është në mesin e disa lloje targash me akronime serbe për qytetet e Kosovës, që Serbia i lëshon për serbët në Kosovë, e të cilat konsiderohen të paligjshme nga Prishtina.

Top Channel