Gra që kalojnë përmes vështirësish të shumta për të kryer abort nuk është diçka e re në Amerikë.
Procedura ishte e paligjshme në pjesën më të madhe të vendit deri në vitin 1973, kur Gjykata e Lartë miratoi vendimin historik, i njohur si “Roe kundër Wade”, që legalizoi të drejtën e abortit në mbarë vendin. Por, prej muajit qershor, kur Gjykata e Lartë e shfuqizoi vendimin e saj të para gati 50 vjetëve, aborti në disa shtete sërish po ndalohet, apo kufizohet ndjeshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, i hedh një vështrim historisë së një rrjeti të fshehtë, që ndihmonte gratë të abortonin në vitet 1960.
Përpara se Gjykata e Lartë të legalizonte abortet në mbarë vendin në vitin 1973, shoqata ilegale “Jane Collective”, ndihmonte gratë shtatzëna të bënin aborte të sigurta.
Në fund të viteve ’60, duke përdorur emrin e koduar “Jane”, grupi vepronte në Çicago. Historia e grupit, tregohet në dokumentarin “The Janes”, të regjizoreve Tia Lessin dhe Emma Pildes, i realizuar së fundmi.
Për pjesën më të madhe të kombit, në vitin ’72, aborti ishte i paligjshëm…
“Shoqata kishte reklama nëpër qytet, reklama që thonin ‘Je Shtatzënë? Nuk dëshiron të jesh? Thirrni ‘Jane’, krahas numrit të telefonit”, tregon themeluesja e shoqatës, Heather Booth.
Ajo i tha Zërit të Amerikës se grupin e themeloi krejt rastësisht.
“Në vitin 1965, një miku im më tha se motra e tij ishte shtatzënë dhe tregonte shenja se donte të bënte vetvrasje. Ai më pyeti a mund ta ndihmoja”, thotë zonja Booth.
Një mjek që ajo e njihte e ndihmoi. Por, shumë gra nuk mund të përballonin tarifat e larta mjekësore për procedurën. Për këtë arsye disa gra vullnetarisht mësuan si të kryenin abortin.
“Gratë e shoqatës kryen 11,000 aborte. Ato kryheshin në një mjedis të sigurtë. Por, nuk ishte e ligjshme”, kujton themeluesja e shoqatës “Jane Collective”.
Më 3 maj 1972, policia bastisi vendin ku vepronin gratë e shoqatës. Shtatë prej tyre u arrestuan.
“Ndaj tyre u ngritën 11 akuza për bashkëpunim për të kryer abort. 110 vjet, për secilin prej nesh”, sqaron dokumentari “The Janes”.
Akuzat më pas u rrëzuan. Por sot, që prej muajit qershor, kur Gjykata e Lartë e përmbysi vendimin e vitit 1973, kryerja e abortit në disa shtete amerikane, ndëshkohet.
“Aborti është vendimi më intim për një grua, se kur, nëse, apo me kë, dëshiron të ketë fëmijë. Është një nga liritë me të rëndësishme në jetën tonë. Nuk ka asnjë arsye që një politikan të hyjë mes një gruaje dhe këtij vendimi kaq personal të jetës së tyre”, thotë zonja Booth.
Me këtë qëndrim nuk pajtohet Carol Tobias, presidente e Komitetit Kombëtar për të Drejtën e Jetës.
“Unë mendoj se gjithnjë e më shumë njerëzit do e kuptojnë se fëmija i palindur është anëtar i njerëzimit, që duhet mbrojtur. Shumë njerëz e konsiderojnë ekografinë para lindjes, si fotografinë e parë të foshnjës së tyre dhe jo fotografinë pasi të ketë lindur fëmija? Pra, ne kemi njerëz që e konsiderojnë fetusin si qënie të gjallë”, thotë zonja Tobias.
Për aktivisten Heather Booth, që luftoi dhe sakrifikoi shumë para disa dekadash për të drejtat riprodhuese të grave, ndalimi i abortit në vitin 2022 është një hap prapa.
“Kjo nënkupton shkatërrim të lirisë së grave dhe shpresës që kanë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve që i kanë tani ose shpresojnë t’i kenë. Dhe kështu, kjo luftë vazhdon”, thotë zonja Booth./VOA
Top Channel