Forcat ruse kanë nisur sulme të reja me raketa në Ukrainë, me qëllimin për të dëmtuar sa më shumë infrastrukturën civile të vendit.
Autoritetet ukrainase thonë se rreth 1.5 milionë familje në të gjithë vendin kanë mbetur pa energji elektrike. Ushtria ukrainase njoftoi se kishte rrëzuar 18 nga 33 raketa të lëshuara nga ajri dhe deti të shtunën.
Rusia ka nisur sulme të reja me raketa, në “shkallë të gjerë” dhe sipas autoriteteve ukrainase objektiv kanë qenë centralet energjitike të vendit.
Në fjalimin e tij të përditshëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se në të gjithë Ukrainën ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Autoritetet ukrainase thonë se rreth 1.5 milionë familje në të gjithë vendin kanë mbetur pa energji elektrike.
Sipas zotit Zelensky forcat ukrainase ia kanë dalë të rrëzojnë një pjesë të madhe të raketave e dronëve rusë. Më herët ushtria ukrainase njoftoi se kishte rrëzuar 18 nga 33 raketa të lëshuara nga ajri dhe deti të shtunën.
“Sigurisht që ne nuk e kemi ende aftësinë për të rrëzuar 100 për qind të raketave ruse e të godasim dronët. Jam i sigurt se gradualisht do ta arrijmë këtë gjë, me ndihmën e partnerëve tanë”, tha zoti Zelenskyy.
Gjatë dy javëve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj centrale energjitike të Ukrainës, sistemeve të furnizimit me ujë dhe pjesës tjetër të infrastrukturës jetike të vendit. Në sulmet e së shtunës raketat ranë mbi dy qytete në perëndim të vendit, Hmelnitskit dhe Lutskut, por edhe qytetin Uman në Ukrainën qendrore.
Dy shpërthime gjatë natës dëmtuan ndërtesa banimi në qytetin port të Ukrainës jugore, Mykolaiv.
Kryetari i bashkisë së qytetit tha se një raketë ruse S-300 goditi katin e fundit të një ndërtese banimi.
“U zgjova nga një shpërthim i fortë. Pas shpërthimit të parë, u përpoqa të dilja, por dera ishte e bllokuar. Pas një ose dy minutash, pati një shpërthim të dytë të fortë”, thotë Oleksandr Mezinov, banor në Mykolaiv.
“Shpërthimi i parë ishte shumë i fortë. Zbrita menjëherë në bodrum. Pastaj pati një shpërthim të dytë shumë të fortë dhe më pas disa shpërthime të tjera. Pashë një zjarr të madh dhe ndieja erën e barutit”, thotë Nelya Koniahina, banore në Mykolaiv.
Zyrtarët ukrainas thonë se rreth 40% e rrjetit elektrik të vendit është dëmtuar rëndë që kur Rusia ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës./VOA
Top Channel