61 bashkitë e vendit do të marrin nga buxheti i shtetit për vitin 2023 31.5 miliardë lekë, apo rreth 270 milionë euro. Në raport me buxhetin e vitit të shkuar fondet e pushtetit vendor rriten me gati 4.2 miliardë lekë, 36 milionë euro më shumë.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve i  përket transfertës së përgjithshme të pakushtëzuar, gati 21.7 miliardë lekë  që me gjithë rritjen sërish nuk kalon 1% të prodhimit të brendshëm bruto, para që përdoren nga bashkitë për funksionet kryesore të tyre. Kërkesa e vazhdueshme e shoqatave të bashkive për ta çuar nivelin e saj në 2% të PBB-së nuk është plotësuar as për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ndërsa pjesa tjetër e parave të alokuara shkojnë për pjesën sektoriale që përfshin fondet për rrugët rurale, fonde për personelin mësimor, apo për funksione të tjera si ato për mbrojtjen nga zjarri, administrimin e pyjeve apo menaxhimin e mbetjeve urbane.

Bashkia Tiranë përfiton edhe pjesën më të madhe nga buxheti i akorduar për bashkitë me 4.3 miliardë lekë për shkak edhe të numrit të lartë të popullsisë që jetojnë në kryeqytet, Durrësi me 1.7 miliardë lekë, ndjekur nga Bashkia Elbasan dhe Shkodër përkatësisht me 1.3 dhe 1.2 miliardë lekë.

Pjesa tjetër e parave ndahet ndërmjet 57 njësive të tjera bashkiake, ku më pak para marrin bashkia e Pustecit, Konispolit dhe Libohovës.

Në relacionin e draftbuxetit 2023 Financat theksojnë se bashkitë do të vijojnë të monitorohen në mënyrë periodike në lidhje me detyrimet e prapambetura për të mos rritur stokun e tyre, që në fund të 6-mujorit të parë të vitit arriti në 60 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA