“Ishte e tmerrshme”, Grida Duma kujton momentin kur u bë nënë! Si është marrëdhënia e saj me djalin?

22/10/2022 19:31

Grida Duma, si e ftuara e parë, hyri me këmbën e djathtë në studion e “Se Luan Topi”.

Megjithatë, ashtu sikurse me humor deputetja demokratike tha, kurdo do të hynte me këmbën e djathtë. Ky ishte komenti i vetëm me nënkuptim politik, pasi në këtë intervistë Grida foli për veten si grua dhe nënë.

Teksa në ekran u shfaqën foto të saj me djalin, Grida kujtoi emocionet kur u bë nënë për herë të parë:

“Kam qenë 28-29 vjeçe kur jam bërë nënë. Është ai lloj emocioni që mua më kaloi në hapin tjetër në jetë. Emocioni ka qenë një frikë e tmerrshme… nuk kam qenë një fëmijë që i donte fëmijët, dhe kur Darini erdhi, një gjë m’u thye plotësisht. Nuk kisha luksin të mendoja që mund të mendoj vetëm për vete. Më kishte ikur vetja. Dhe ishte e tmerrshme! Çdo gjë që mund të ndërmerrja deri në atë moment, si shkon nuk ka problem, kuptova që kur vjen fëmija yt në jetë, ti nuk ke shanse të bësh gjëra pa fund. Ke vetëm shansin të bësh gjëra thelbësisht për atë si fillim dhe pastaj për veten tënde. Kjo është nëse do të jesh i përgjegjshëm. Fëmija është pika e parë e dobët”.

Por, Duma nuk cilëson veten një nënë të zakonshme dhe kur flet për shkollimin e Darinit  thotë se nuk duhet shkolla më e mirë për të siguruar të ardhmen më të mirë:

“Dëgjoj shumë që thonë do të shkrij gjithë çfarë kam dhe do të çoj fëmijën në universitetin më të mirë. Unë nuk mendoj që universiteti më i mirë, automatikisht të jep të ardhmen më të mirë. Unë mendoj që njeriu duhet t’i marrë të gjitha gjërat në masën e vet, në konteksin e vet. Nuk ka pse të shkojë në majë të Londrës, nga një shoqëri ballkanike dhe të konkurrojë me elitën e Londrës që ka një rrjet tjetër, një network tjetër. Modeli i parë që i japim ne fëmijës, është modeli i vetes”.

Moderatorja Erjona Rusi e ngacmoi politikanen dhe për shoqet apo partneret që djali i saj mund të ketë, dhe me shumë diplomaci, Duma tha se di t’i ndajë gjërat dhe do të respektojë vendimet e djalit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel