“Energjinë po e paguajmë ne”/ Rama nga Përmeti: Më shkroi një mik nga Londra, e paguante 400 paund faturën

18/10/2022 17:46

Nga Përmeti, ku po zhvillon takime me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, Rama përmendi krizën energjetike ku tha se qeveria po vepron si mburojë që qytetarët mos ta paguajnë të gjithë konsumin.

Rama tha se kjo krizë po prek edhe vendet më të zhvilluara të botës, ku familjarët po preken nga depresioni për shkak të rritjes së lartë të çmimeve. Ai tregoi se një mik i tij që jeton Në Londër, i ka shkruar se nga fatura prej 100 paundsh që paguanin më parë për energjinë elektrike, tashmë fatura ka shkuar në 400 paund. Sipas tij, familjet shqiptare po paguajnë më pak sesa konsumojnë, për shkak të subvencionimit nga buxheti i shtetit.

“Me vjen mirë që nuk është rritur asnjë qindarkë për familjet dhe biznesin e vogël për energjinë. Por ai konsum kushton shumë herë më tepër sesa familjet dhe bizneset paguajnë. Atë e mbulojmë ne, E mbulon buxheti i shtetit, përgjegjësia jonë karshi njerëzve. Nga ana tjetër, nuk diskutohet që mbështetja financiare e bërë, duke nisur nga pensionistët, me rritje 10%, për t’ju lehtësuar peshën e rëndë të të pasurit një hije në kurriz. Ama nga ana tjetër, jo vetëm pensionistët por për te gjithë pa përjashtim. Me buxhetin e ri do të kemi të tjera masa që të qëndrojmë pranë të gjithëve që në mënyrë solidare dhe transparente, të ndajmë mes gjithë anëtarëve të kësaj familje të madhe atë që është në dispozicion, duke garantuar një shpërndarje të ardhurave sa më të drejtë. Do mbështesim familjet duke mos ua faturuar çmimin e energjisë.

Familje në vende më të zhvilluara po hyjnë në depresion. Atje ka paga më të larta, por edhe energjia është me e lartë. Më shkruante një mik nga Londra, po më thoshte nga 100, ka shkuar 400 paund vetëm fatura për energjinë elektrike dhe ngrohjen. Ne do e mbajmë me një mburojë financiare, aty ku ishte para se të fillonte kjo flamë.  Do bëjmë çmosh që rritjen e pagave ta vazhdojmë që të stimulojmë sa më shumë, jo vetëm njerëzit që punojnë në publik, por edhe ata në privat. Do e rrisim sërish edhe pagën minimale. Duam që të vazhdojmë punët, siç bëmë edhe në pandemi”- tha Rama para qytetarëve në Përmet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA