Tottenham i pandalshëm në Londër, Kane-Hojbjerg e afrojnë me kreun

15/10/2022 20:35

Tottenhami bëri detyrën përballë Evertonit dhe tani shpreson që të dielën të ndalen Arsenali dhe Manchester City.

Skuadra e Antonio Contes mposhti 2-0 Evertonin në “Tottenham Hotspur Stadium”, aty ku i kanë fituar të pestë ndeshjet e këtij sezoni në Premier League.

Harry Kane zhbllokoi ndeshjen në minutën e 59’ me një penallti të fituar nga ai vetë pas gafës dhe ndërhyrjes jo të rregullt të Jordan Pickford, shokut të tij te kombëtarja angleze. Kapiteni u ngjit në kuotën e nëntë golave në kampionat, ndërkohë që goli i qetësisë erdhi katër minuta përpara fundit.

Kundërsulm i Spurs, asist i Rodrigo Bentancur dhe finalizim i danezit Pierre-Emile Hojbjerg. Ky ishte goli i tretë sezonal në kampionat për 27-vjeçarin, po aq sa ka shënuar edhe Son Heung-Min. Fitorja e sotme ka ngjitur Tottenhamin momentalisht në kuotën e 23 pikëve.

Arsenali kryesues ndodhet një pikë larg, Manchester City numëron po 23 pikë, por këto dy skuadra zbresin në fushë të dielën në transfertat ndaj Leeds United dhe Liverpoolit, përballje që do transmetohen në SuperSport.

/ Super Sport

Top Channel