E marta, vendimtare për rinovimin me Leaon. Zbulohet oferta e Maldinit

13/10/2022 14:06

Paolo Maldini shprehu publikisht përpara duelit ndaj Chelsea dëshirën dhe vullnetin e Milanit për të rinovuar me Rafael Leaon përpara nisjes së Kupës së Botës Katar 2022.

GDS shkruan se drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë programuar një takim me agjentin e portugezit të martën e ardhshme. Dyshja Maldini-Massara kanë gati një ofertë 5-vjeçare për 23-vjeçarin luzitan me një pagë 5 milionë euro në sezon (aktualisht përfiton 1.5 milionë).

Kuqezinjtë janë gati të paguajnë te Sportingu i Lisbonës edhe “gjobën” (9-10 milionë euro), duke i hequr lojtarit më të mirë të sezonit të kaluar në Serie A një barrë të madhe. Leao kërkon 7 milionë euro pagë sezonale për të rinovuar, por te Milani janë optimistë në lidhje me arritjen e akordit.

Dyshja Maldini-Massara do të takohen me menaxherin e sulmuesit të majtë, ndërkohë që në marrëveshjen mes palëve pritet të përfshihen edhe bonuse të ndryshme për të bindur Leaon të firmosë kontratën e re, diçka që tifozët e “Djallit” po e presin me padurim./ Super Sport

Top Channel