Legjenda e United në krah të Brojës: Potter i duhuri, Tuchel do e kishte larguar!

12/10/2022 08:52

Armando Broja vendosi në fillim të sezonit të qëndronte pjesë e Chelseat pavarësisht ofertave që nuk i munguan nga klube ku me siguri do të mund të siguronte më shumë minuta.

Megjithatë, sulmuesi i kombëtares ishte i bindur se mund t’ia dilte në skuadrën e zemrës dhe pas shkarkimit të Thomas Tuchel, tashmë nën drejtimin e trajnerit Graham Potter duket se do të marrë më shumë përgjegjësi.

Tekniku Potter njihet për punën e tij me të rinjtë duke marrë më të mirën prej tyre. Ndryshimi vihet re edhe te Broja me 21-vjeçarin që ka pasur minuta në dispozicion ndërsa në fundjavën e fundit gjeti edhe golin e parë me Chelsean teksa entuziazmoi publikun e Stamford Bridge që e vlerëson pamasë talentin e akademisë.

Në lidhje me Brojën së fundmi ka folur edhe legjenda e Manchester United, Rio Ferdinand i cili thekson se trajneri Potter është i duhuri për të rinjtë ndërsa shton se me Thomas Tuchel, lojtari shqiptar edhe mund të ishte larguar nga skuadra.

“Chelsea ka shumë lojtarë të rinj, një nga ato është Broja. Ai ka shumë klube që e vlerësojnë, por te Chelsea duket se kanë ndryshuar filozofi pasi në të kaluarën me siguri do ta kishin shitur. Kështu është edhe situata me Gallagher, por tashmë të rinjtë si Broja po vlerësohen dhe në klub janë të kënaqur nga zgjedhja për të mos i larguar. Kam përshtypjen që të rinjtë do të përfitojnë nga largimi i Tuchel pasi Potter i beson shumë lojtarëve të së ardhmes, Chelsea ka një akademi fantastike”, u shpreh Ferdinand.

Top Channel