Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar gabimisht kapacitetet e Rusisë për të pushtuar Ukrainën.
Por, lideri amerikan tha se nuk beson se Moska do të përdorë armë taktike bërthamore kundër fqinjit të saj, pavarësisht kërcënimeve të maskuara ruse për përdorimin e mundshëm të arsenalit bërthamor.
Biden i bëri këto deklaratat teksa presidenti Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Perëndimit për dërgim të shpejtë sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, në mënyrë që shteti i tij të mbrohet nga sulmet ajrore.
Qytetet ukrainase më 10 dhe 11 tetor ka qenë cak i sulmeve vdekjeprurëse ruse, që kanë pasur për shënjestër infrastrukturën civile dhe energjetike të shtetit.
Biden tha për CNN se përderisa ai beson se Putin beson se po vepron në mënyrë racionale, shënjestrat e tij në Ukrainë “nuk janë racionale”.
“Nëse e dëgjoni fjalimin që bëri pas vendimit që mori [për pushtimin e Ukrainës], ai foli për të gjithë idenë që – ai duhej të ishte lider i Rusisë që bashkon të gjithë rusisht-folësit”, tha Biden. “Mendoj se kjo është joracionale”.
Në javët e fundit, Rusia aneksoi paligjshëm katër rajone ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara, pasi mbajti referendume që u cilësuan të rreme. Po ashtu, Rusia ka mobilizuar qindra mijëra rusë dhe ka aluduar se mund të përdorë armë bërthamore, duke ngritur alarmin në Perëndim.
Sulmet e fundit ruse më 10 dhe 11 tetor erdhën pasi në fundjavë, Ura e Krimesë u godit nga një shpërthim.
Qëllimet e Putinit dhe gjendja e tij mendore kanë qenë subjekt i debatit, pasi ushtria ruse ka pësuar humbje të mëdha ushtarake në Ukrainë. Por, Biden tha se Putin është “racional” pavarësisht gabimeve që ka bërë.
“Mendoj se [Putin] është aktor racional, i cili ka bërë një keqllogaritje të madhe”, tha Biden.
Më 11 tetor, Zelensky ndërkaq bisedoi me liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, duke u kërkuar që të vendosin çmim tavan për eksportet e naftës dhe gazit rus.
“Rusia duhet të izolohet plotësisht dhe të ndëshkohet. Të ndëshkohet edhe në aspektin politik dhe përmes sanksioneve”, tha ai.
Lideri ukrainas po ashtu ka kërkuar që Perëndimi të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke i dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore, teksa shteti i tij po përballet me pushtimin rus që nisi më 24 shkurt.
Top Channel