Qeveria harton pr/buxhetin, ulet parashikimi për rritjen ekonomike gjatë 2023. Ibrahimaj: Amnistia Fiskale? Ligj i veçantë, ende në konsultim

10/10/2022 14:03

Qeveria ka gati pr/buxhetin për vitin 2023, të cilin pritet ta prezantojnë në javët në vijim, ndërsa parashikimi për rritjen ekonomike gjatë vitit të ardhshëm është ulur. Deklarata vjen nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një prononcimi për mediat, ku njoftoi vendimet e këshillit të ministrave.

Morëm në shqyrtim pr/buxhetin për 2023. Gjatë 2023 parashikojmë që ekonomia shqiptare të ketë një rritje prej 2.6% në terma reale dhe 5.7 % në terma nominal. Parashikojmë që inflacioni të fillojë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6% përmes buxhetit do vijojmë të kemi një konsolidim fiskal. Si nga të ardhurat dhe shpenzimet, pr/buxheti reflekton këto parametra makroekonomik. Kemi disa skenarë, këto parametra parashikojnë një recesion teknik të vendeve të BE dhe kjo është arsyeja se pse ne kemi ulur parashikimin për 2023 nga mbi 3% në 2.6%.

Marrim parasysh se rreziqet janë në krahur rënës, pr/buxheti do krijojë hapsirat e duhura, për cdo goditje që mund të vijë në të ardhmen. Pr/buxheti do prezantohet në detaje në javët që vijnë. Ky buxhet do vijojë të mbështesë, mos rritjen e cmimit për energjinë, dhe do të vijojë të mbështesë ato kategori të shtresave në nevojë.” u shpreh Ibrahimaj.

Lidhur me pr/ligjin për amnistinë fiskale, Ibrahimaj tha se bëhet fjalë për një pr/ligj të vecantë që nuk është parashikuar në buxhet, e për të cilit sipas ministres vijojnë konsultimet.

“Amnistia është një ligj i vecantë që nuk është parashikuar në pr/buxhet. Është ende në konsultim publik, dhe nuk kemi një datë për miratimin e tij po punojmë që paralelisht të hartojmë aktet nënligjore që kur do të arrijmë në një produkt final të jemi gati”, -përfundoi Ibrahimaj.

Top Channel