Lamtumira nga futbolli, Higuain “sfidon” kuzhinierin e famshëm turk: Do mësoj edhe kitaren!

07/10/2022 20:59

Para pak ditëve, Gonzalo Higuain njoftoi se do të tërhiqej nga futbolli në fundin e sezonit aktual ndërsa së fundmi, zbulon se nuk ka ndërmend të qëndrojë aktivë dhe të merret sërish me sport në rolin e drejtorit, ambasadorit apo edhe trajnerit.

Argjentinasi që aktualisht aktivizohet me Inter Miami në MLS, ka krejtësisht plane të ndryshme pasi të varë këpucët në gozhdë dhe në një intervistë për Goal.com theksoi se është i tërhequr nga ideja për të eksploruar në fushën e kulinarisë apo edhe të mësojë anglisht.

“MLS dhe Shtetet e Bashkuara më kanë mësuar si të shijoj gjithçka nga ajo që më parë e kisha të ndaluar. E dua shumë vajzën dhe gruan time e tashmë jeta ime rrotullohet rreth tyre, janë ato që qëndrojnë përkrah meje në të mirë dhe në të keq. Përsa i përket aktiviteteve të tjera pas futbollit, më pëlqen kuzhina, ndoshta mësoj edhe kitaren e gjuhën angleze.

Nuk kam asnjë qëllim të qëndroj në botën e futbollit, është një ambient që bëhet gjithnjë e më toksik dhe nuk e gjej veten aty brenda. Dua të largohem nga sporti, do ta ndjek si spektator i thjeshtë. Është një botë që nuk i përkas aq sa e mendoja në fillim. Pas futbollit dua të zgjeroj horizontin tim dhe të shijoj familjen”, theksoi Higuain.

Top Channel