Çmimi Nobel për Paqen i është dhënë aktivistit për të drejtat e njeriut, Ales Bialiatski nga Bjellorusia, organizatës ruse të të drejtave të njeriut Memorial dhe organizatës ukrainase të të drejtave të njeriut Qendra për Liritë Civile.
Fituesit e këtij viti përfaqësojnë shoqërinë civile në vendet e tyre, të cilët kanë promovuar për shumë vite të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve.
“Laureatët e këtij viti përfaqësojnë shoqërinë civile në vendet e tyre. Ata kanë promovuar për shumë vite të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve.
Ata kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin. Së bashku ata demonstrojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë”, sipas Komitetit Norvegjez të Nobelit.
BREAKING NEWS:
The Norwegian Nobel Committee has decided to award the 2022 #NobelPeacePrize to human rights advocate Ales Bialiatski from Belarus, the Russian human rights organisation Memorial and the Ukrainian human rights organisation Center for Civil Liberties. #NobelPrize pic.twitter.com/9YBdkJpDLU
— The Nobel Prize (@NobelPrize) October 7, 2022
Drejtuesja e Komitetit Nobel, Berit Reiss-Andersen tha se çmimi i këtij viti nuk duhet parë si një përgjigje ndaj presidentit, Vladimir Putinit.
“Ky çmim nuk i drejtohet Presidentit Putin, as për ditëlindjen e tij, apo në ndonjë kuptim tjetër, përveç se qeveria e tij, si qeveri në Bjellorusi, po përfaqëson një qeveri autoritare që po shtyp aktivistët e të drejtave të njeriut. Dhe vëmendja që ka tërhequr zoti Putin ndaj vetes, që është e rëndësishme në këtë kontekst është mënyra se si po shtypen avokatët e shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut. Dhe kjo është ajo që ne do të donim të trajtonim me këtë çmim. Dhe ne gjithmonë japim një çmim për diçka dhe për dikë dhe jo kundër askujt”, tha ajo.
Për Çmimin Nobel për Paqe këtë vit në garë ishin 343 kandidatë, duke përfshirë 251 individë dhe 92 organizata.
Vitin e kaluar Çmimi Nobel për Paqe iu nda gazetares filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktorit të gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov.
Çmimi Nobel për Paqe, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që “bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve”.
Gjatë kësaj jave u ndanë Çmime Nobel në disa kategori.
Shkrimtares franceze, Annie Ernaux, iu nda të enjten Çmimi Nobel për Letërsi.
Më 5 tetor, Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë dy amerikanëve, Carolyn Bertozzi dhe Barry Sharpless, si dhe danezit, Morten Meldal, për krijimin e një forme më funksionale të kimisë.
Një ditë më herët, më 4 tetor, Çmimi Nobel për Fizikë u është ndarë tre shkencëtarëve: francezit Alain Aspect, amerikanit John Clauser dhe austriakut Anton Zeilinger, për zbulimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike.
Ndërsa më 3 tetor, shkencëtari suedez, Svante Paabo, fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi, për shkak të zbulimeve të lidhura me evolucionin njerëzor.
Çmimi Nobel për Ekonomi do të shpallet të hënën.
Çmimet kanë vlerën e 900.357 dollarëve amerikanë dhe do të shpërndahen më 10 dhjetor.
Top Channel