Për të parën herë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka publikuar në Fletoren Zyrtare listën me të dhënat e detajuara të 15 personave, të përfshirë në luftërat e huaja, si pjesë e grupit militant, Shteti Islamik.

Në dispozicion të strukturave të policisë nuk janë që të gjithë këta persona, ndaj të cilëve kanë nisur hetimet. Pjesë e të dhënave janë edhe adresat e tyre të banimit dhe vepra për të cilën akuzohen.

Në bazë të vendimit të ekzekutivit, këtyre individëve u ndalohet përdorimi, transferimi, konvertimi, transferimi ose disponimi i pronës, u ndalohet vënia në dispozicion e çdo pasurie, drejtpërdrejt ose indirekt, si dhe krijimi ose vazhdimi i një marrëdhënieje biznesi.

Të 15 personat, të dhënat e të cilëve janë bërë publike, kanë marrë pjesë në formacionet paraushtarakee gjatë viteve 2014-2015. Një pjesë e tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në luftën në Siri, të tjerë kanë inkurajuar palë të treta  që bashkë me familjet e tyre, të shkojnë në këtë vend. Ekspertët e sigurisë thonë se publikimi i të dhënave paraqet një mjet efikas për të mos lejuar transferimin e parave nga burime të dyshimta.

Por organizatat joqeveritare që në fokus kanë rehabilitimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja, insistojnë se në informacione të tilla duhet të kishin akses vetëm institucionet, dhe jo i gjithë opinion publik pasi mund të vihet në rrezik jeta e të afërmeve të këtyre individëve. “Çfarë ndodh nëse dikush tenton një sulm ndaj personave të sanksionuar ose familjarëve me të cilët bashkëjeton, duke qenë se qeveria tani i ka bërë të ditura adresat se ku banojnë”, pyet Samet Shabani nga organizata joqeveritare Horizont.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për t’u përfshirë në luftërat e huaja, paraqet vepër penale, për të cilën parashikohet nje dënim me te pakten pesë vjet burg. Në bazë të të dhënave të organizatave joqeveritare në luftërat e huaja janë përfshirë 156 persona. Shifrat zyrtare tregojnë se 83 vetë janë kthyer në vend, e 30 prej tyre e kanë marrë tashmë dënimin.

Top Channel