Një mbrëmje që duhej të ishte kthesa e madhe për Milanin, është shndërruar në një makth të vërtetë.

Humbja 2-3 në “San Siro” kundër Atalantës (ndeshje e mbyllur mes tensionit në minutat e fundit) nuk është thjesht një goditje në tabelën e klasifikimit, por një kapitull i zi në marrëdhënien tashmë të thyer mes klubit dhe tifozerisë.

Dita nisi me tensione të larta jashtë zyrave të klubit në “Casa Milan”, ku qindra tifozë protestuan kundër drejtimit të lartë, duke shënjestruar veçanërisht CEO-n Giorgio Furlani. Protesta u zhvendos edhe brenda stadiumit, ku “Curva Sud” zgjodhi rrugën e heshtjes, duke mos mbështetur skuadrën në shenjë revolte për menaxhimin e sezonit. Në shënjestër të kritikave kanë rënë thuajse të gjithë: nga zyrtarët e lartë e deri te lojtarët në fushë, të cilët u akuzuan për mungesë grinte. Megjithatë, në këtë stuhi pakënaqësie, vetëm dy emra duket se gëzojnë ende besimin e popullit kuqezi:

Massimiliano Allegri, trajneri shihet si i vetmi që po përpiqet të mbajë timonin në një anije që po mbytet. Por edhe Igli Tare, drejtori sportiv shqiptar ka shpëtuar nga kritikat, me tifozët që vlerësojnë punën e tij në kushte të vështira. Me këtë humbje në javën e 36-të, Milani mbetet në kuotën e 67 pikëve, duke u parakaluar zyrtarisht nga Roma (që mposhti Parmën 3-2) dhe duke mbetur pas Juventusit (fitues ndaj Lecces).

Edhe pse Milani ka pikë të barabarta me Romën, forma aktuale dhe kalendari i dy javëve të fundit e bëjnë objektivin e vendit të katërt, zonën e UEFA Champions League, jashtëzakonisht të vështirë. Kur duhen edhe 180 minuta nga fundi i kampionatit, Milani nuk e ka më fatin në duart e veta. Nëse Milani nuk arrin të kualifikohet në Champions, pasojat financiare dhe sportive do të jenë katastrofike. Tifozët e kanë dhënë verdiktin e tyre: koha e fjalëve ka mbaruar. Tani mbetet të shihet nëse Allegri dhe Tare do të arrijnë të bëjnë mrekullinë në dy ndeshjet e mbetura, apo nëse ky sezon do të mbahet mend si dështimi i madh.

Top Channel