Kongresi i VLEN, Albin Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar, reagime të ashpra në RMV dhe Kosovë

09/05/2026 21:40

Është mbajtur sot në Shkup Kongresi i Bashkimit i koalicionit politik shqiptar VLEN, aktualisht në pushtet, që sot u shkri në një parti të vetme politike.

Në këtë Kongres kanë marrë pjesë disa figura politike nga Shqipëria dhe Kosova, mes tyre dhe kryeministri Albin Kurti.

Pamjet e transmetuara gjatë Kongresit kanë ngjallur reagime të forta në RMV por edhe në Kosovë, duke nënvizuar faktin se Kurti shfaqet krah Hristijan Mickoski, kryeministrit të RMV.

Ata e konsiderojnë këtë një reshtim krah Mickoskit për të disatën herë dhe se po bekon shkrirjen e VLEN, ndërsa nga ana tjetër studentët shqiptarë të RMV vijojnë të protestojnë për të pasur mundësinë e testimit në gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës, që ua lejon Kushtetuta.

Po ashtu reagimet ndalen edhe te Marrëveshja e Ohrit, që sipas tyre thuhet se “po shkelet me të dy këmbët nga një parti në pushtet albanofobe si VMRO”.

Në kongres është “harruar” himni shqiptar për herë të parë, pavarësisht Kurtit, 5 liderëve të VLEN dhe 850 delegatë shqiptarë nga gjithë trevat shqiptare RMV, duke vendosur vetëm himnin e Bashkimit Europian.

Blendi Hodai, një figurë publike në RMV shkruan: Albin Kurti në raport me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duket gjithnjë e më shumë në një lloj simbioze politike me Hristijan Mickoskin. Të dyve, për arsye të ndryshme, u konvenon që shqiptari në institucione të jetë i dobët, pa bosht, pa guxim dhe pa qëndrime. Sepse shqiptari që nuk pengon, që nuk pyet dhe që vetëm tund kokën, është “shqiptari i mirë”.

Besnik Osmani, Kryetar i këshillit të komunës së Tearcës në RMV, shkruan: As me praninë e Albin Kurti nuk mundët këtë “Bashkim të shoqatave të gjuetarëve” ta filloni me intonimin e Himnit kombëtar Shqiptar, sepse shefi juaj Hristijan Mickoski lëre që nuk jua lejon, po as që e ndjeni në qënjen tuaj. Himnin e përdorni në fushatë për tu treguar patriotë të mëdhenj para shqiptarëve Izet Mexhiti Bilall Kasami Bekim Sali Bekim Qoku Mimoza A Musa Bekim Fazliu.

Irfan Buçi, nga radhët e BDI, e cilëson këtë si “Ndikimi botes serbe dhe Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut”.

Top Channel