Tirana fitoi derbin me golat e Xhixhës në fund të pjesës së parë dhe në mes të pjesës së dytë.

Mbi dhjetë mijë tifozë ndoqën derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana që u luajt në stadiumin “Air Albania”.

PARTIZANI-TIRANA 0-2 (Xhixha 25′, 68′)

Tirana fitoi një penallti me ndihmën e VAR-it pas kontaktit në zonë mes Patrick dhe Matondos, të cilin arbitri Xhaja e akordoi të parregullt pasi u thirr teknologjia. Ekzekutimin nga pika e bardhë e mori përsipër Xhixha (25’), por Bekim Rexhepi kreu një pritje fantastike, duke mbajtur portën të paprekur.

Situata u përkeqësua për kampionët në fuqi në minutën e 37’. Bruno Lulaj u ndëshkua me karton të kuq pas kontaktit me Xhuliano Skukën, duke lënë Tiranën me dhjetë lojtarë, vendim që erdhi pas ndihmës nga VAR-i.

Tifozët e Partizanit në festë, por ata dhe lojtarët e ekipit të zemrës nuk i kishin bërë mirë llogaritë me Redon Xhixhën, i cili i ndëshkoi dy herë në vijim dhe u dhuroi bardhebluve një fitore madhështore.

Sulmuesi kurbinas mori një asist nga kapiteni Marsel Ismajlgeci në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, fitoi garën e shpejtësisë me Rexhepin dhe dërgoi topin në rrjetë. Partizani iu afrua disa herë barazimit në pjesën e dytë, por golin e gjeti sërish Xhixha.

Sulmuesi i Tiranës kreu rreth 70 metra sprint në minutën e 68’të dhe dyfishoi për rekordmenët e futbollit shqiptar. Në minutat shtesë erdhi kartoni i dytë i kuq, këtë radhë për Matondon e Partizanit.

Në fund festë bardheblu dhe zhgënjim i kuq, ndërkohë që Tirana regjistroi fitoren e tretë radhazi mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, dhe tani ndan vendin e dytë në renditje me 11 pikë, po aq sa Bylisi dhe Erzeni, dhe një më pak se Partizani kryesues.

 

 

FOTO GALERI
8/42

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA