Conte ankohet për VAR-in në Angli: Të mësojnë nga Italia, kartoni i kuq “vrau” ndeshjen!

02/10/2022 10:34

Tottenham pësoi disfatën e parë në Premier League të shtunën teksa u mposht nga Arsenal me rezultatin 3-1 në derbin e Londrës së Veriut. Pas sfidës, tekniku i Spurs-ave, Antonio Conte u ankua për gjykimin dhe VAR-in duke qenë se skuadra e tij mbeti me 10 lojtarë në minutën e 62-të të pjesës së dytë teksa Emerson Royal u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrje me takë ndaj Martinellit, ndërsa VAR nuk ndërhyri duke miratuar vendimin e arbitrit Anthony Taylor.

Në atë moment rezultati ishte 2-1 për “Topçinjtë” dhe Tottenham po kërkonte golin e barazimit ndërsa më pas, shpresat për miqtë u shuan me Arsenal që shënoi edhe të tretin falë Granit Xhakës. Pas sfidës, tekniku Conte theksoi se në Angli, VAR nuk mban të njëjtin standart dhe se arbitrat anglezë duhet të mësojnë nga kolegët italianë.

“Të them të drejtën në Angli kjo pjesa e VAR është pak e vështirë sepse nga ndeshja në ndeshje nuk përdoret i njëjti standart. Ndonjëherë ka momente kur duhet kartoni i kuq dhe akordohet i verdhë, apo ndonjëherë kur është karton i verdhë, nuk jepet asnjë ndëshkim. Arbitrat duhet të punojnë shumë në këtë aspekt, në Itali arbitrat mblidhen çdo të enjte dhe shohin video si një formë për t’u përmirësuar. Nuk e di nëse diçka e tillë aplikohet në Angli, por është një ide e mirë.

Këtu niveli i futbollit është shumë i lartë dhe i tillë duhet të jetë edhe gjykimi apo VAR-i. Çdo vendim gjatë ndeshjes duhet të jetë më i miri i mundshëm. Kartoni i Kuq “vrau” ndeshjen, ata shënuan të tretin më pas. Arsenal ishte një skuadër shumë sulmuese dhe e kishim të vështirë të mbronim ndaj tyre.

Nëse ka diçka për të cilën mund të ankohem, ajo është pjesa e parë, ku mund të bënim më shumë dhe gabuam në disa raste pasimin e fundit. Ndeshja nuk ishte e balancuar dhe më pas pjesa e dytë nisi me gol për ata, mund të bënim shumë më shumë në çdo gol që pësuam. Por, më pas erdhi kartoni i dytë, aty mbaroi ndeshja”, tha Conte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA