Votimi i primareve, mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike

01/10/2022 11:40

Këshilli Kombëtar I Partisë Demokratike është mbledhur këtë të shtunë për votimin e primareve.

Kreu i Këshillit, Edi Paloka tha se në rend dite janë diskutimi i primareve.

“Siç e dini sot në rend dite kemi vetëm një pikë që u kërkua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, shtyrja e rregullores për primaret.  Fillimisht do marrë fjalën doktori dhe më pas do kalojmë me procedurën që ndoqën dhe në mbledhjen e fundit.  Relatimi është bërë nga Z.Kaso, ju besoj e keni parë të gjithë rregulloren. Do të bëjmë pyetje, vërejtje që do të marrin përgjigje nga specialistët dhe më pas do kalojmë në votim sipas nenit apo edhe në tërësi të rregullores”, tha ai.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha tha se sot shënohet një hap i madh i PD-së si forcë politike e rithemeluar.

“Kjo është një mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se ne miratojmë sot këtu, rregullat në përputhje me statutin e PD-së, të zhvillimit të primareve për zgjedhjet vendore dhe disa prej tyre janë të njëjta për zgjedhjet e deputetëve. Ne sot, në përputhje me vendimet statusore, shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar. Unë kërkoj nga ju që termin rithemelim të mos e lexojmë në asnjë mënyrë si një meritë e jona. Termin rithemelim duhet ta lexojmë dhe kuptojmë si një detyrim madhor i çdo demokrati dhe demokrateje për të bërë gjithçka që forca jonë politike t’u paraqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta, si një forcë e rithemeluar”, tha ai.

Berisha: Detyra më kryesore e jona është të fitojmë mendjen e zemrat e qytetarëve shqiptarë. Mos harroni një gjë, detyra më kryesore e jona është të fitojmë mendjen e zemrat e qytetarëve shqiptarë. Ashtu siç ishim, nuk i fitonim, përkundrazi.

Pra, kërkohet një ndryshim i madh. Proces në të cilin ne jemi sot, në mënyrë që të paraqitemi, të tregojmë vitalitetin tonë, për t’u paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, si një forcë politike, e cila qëndron totalisht e përkushtuar ndaj lirisë dhe vlerave të saj për qytetarin shqiptar. Si një forcë politike, e cila del me shpejtësi dhe përfundimisht nga apatia tetëvjeçare e saj.

Berisha: Të mos rrimë të flasim për frikën, por të vrasim frikën.

“Rëndom diskutojmë me njëri-tjetrin se ka frikë. Është e vërtetë se ka frikë. Është e vërtetë se Edi Rama arriti të ngulisë frikën te punonjësit, te qytetarët, por mos harroni se kur një regjim arreston 38 mijë qytetarë në një vit, sigurisht mbjell frikë dhe terror. Por e gjitha kjo erdhi se nukishim në lartësinë e duhur, sepse nuk ishim dhëmb për dhëmb me të. Se të tjerët nuk panë te ne, forcën politike që u del zot. U ndala në këtë pikë, që të mos rrimë të flasim për frikën, por të vrasim frikën. Ajo vritet me fjalën tonë, me takimin tonë në çdo skaj të Shqipërisë. Me qytetarët, me grupe interesi dhe kudo.”

Berisha: T’i shohësh gjërat me realizëm, sado të papërshtatshme, sado të hidhura të jenë

“Diçka tjetër më e vështirë dhe përcaktuese është mundi dhe djersa që duhet të derdhë secili prej nesh çdo ditë për suksesin e kësaj force. Po e përsëris, arritja e 7 marsit ishte madhore, por nuk ishte vendimtare. Arritja bëhet vendimtare vetëm kur çdo demokrat të shtrojë pyetjen se çfarë bëra sot dhe çfarë do bëj nesër për të afruar fitoren e PD-së. Ky është një oqean pune. Një det pune. Ku jemi ne me këtë? Absolutisht jemi larg. Dhe dua t’u them një gjë. Për njeriun nuk ka gjë më të rëndësishme se realizmi. Kushti më themelor për të ndërtuar punën, për të ndërtuar suksesin, është thjesht realist. T’i shohësh gjërat me realizëm, sado të papërshtatshme, sado të hidhura të jenë, i ndryshon ato. Nëse nuk i sheh me realizëm, nuk sheh asgjë, noton mbi to.”

Berisha: Nëse ka njeri që po tallet me këtë popull që po shpërbëhet, është Edi Rama

“Koha është jashtëzakonisht e veçantë, e rëndë. Shikoni, në historinë e këtij vendi, Shqipëria ka pasur diktaturë gjakësore, ka pasur diktatorë që paraqiteshin liberalë, por pushkatonin në kufi. Por nuk ka pasur kurrë një kryeministër që tallej në mënyrën më cinike me qytetarët e vendit siç është Edi Rama. Dje u thotë u hoqa fashon, sot thotë se fashoja është në fuqi. Sikur nuk flet për qytetarët shqiptarë. Po sikur flet për kuzhinën e tij, për oborrin në Surrel. Sikur energjinë e nxjerr nga shtëpia e tij dhe i trajton shqiptarët si askush tjetër. Nëse ka njeri që po tallet me këtë popull që po shpërbëhet, është Edi Rama. Problemi është ku jemi ne? Nuk ka nevojë Edi Rama të na dhurojë më shumë për fitoren tonë se të këqijat që i ka bërë këtij populli.”

Berisha: PD është larg asaj që duhet të jetë. Është urgjente ndryshimi i situatës.

“Ku është PD sot? Është larg asaj që duhet të jetë. Kur them PD, kam parasysh seksionet dhe grup-seksionet. Si të jenë ata, do jemi ne. E vërteta, thelbi i PD-së para të gjithash është si të funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia. Vjen një moment që nuk ka më konferenca shtypi, nuk ka takime me duartrokitje, ai moment është më vendimtari, ai është votimi, ai është prova e përgjithshme. Ajo betejë zhvillohet mes seksioneve. Jemi larg. Unë duhet të jemi realist me ju. Unë kam marrë gjithë kohës informacione dhe ju garantoj se është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme. Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim. Në vetëm rrimë duke shprehur habi për veprimet e një njeriu që vjedh përditë qytetarët dhe tallet me ta. Çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballjen me të.”

Berisha: Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, por duhet t’i shfrytëzoni.

“Bashkëpunëtorët e mi po bëjnë takime, por nuk janë përcjellur në nivele siç duhet. Ne kemi nevojë emergjente. Po t’u bëj një pyetje, ju i keni ndjekur foltoret dhe takimet. U them unë ju, që elementi më spikatës, më i rëndësishëm i tyre janë fjalët e atyre qytetarëve dhe atyre demokratëve. Nuk janë fjalët e mia. Janë një mori çështjesh. A e shihni sa bukur flasin ata? Çfarë dua të them me këtë? Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, por duhet t’i shfrytëzoni. Po çfarë të deleguari doni ju më shumë se atë mjeken, e cila në tre minuta, i bëri radiografinë sistemit në mënyrën më të shkëlqyer. E dëgjuat çfarë oratoreje. Çfarë misionareje doni më shumë se atë mësuesen që denoncoi atë që po bëhet në arsim. Ne kemi me qindra e mijëra oratorë, që duhet t’i mobilizojmë si misionarë. Ne duhet të jemi misionarë. Dhe misionarët kanë forcën e fjalës. Bindin me fjalë. Unë personalisht e kam vlerësuar jashtë mase fjalën e demokratëve në takime. Shoh një nivel politik të shkëlqyer. Ata flasin sikur të jenë analistë, sikur të jenë politologë. Të gjithë këtë e thashë se kemi potenciale të mëdha, por urdhëroni t’i shpalosim.”

Berisha: Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë

“Duhet të jemi realist. Për të qenë realist, duhet të njohim realitetit. Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë dhe të bëjnë një plan të detajuar pune për të gjithë aktitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni. Të deleguarit i keni ju. Po çfarë doni më shumë se fjalën e një mjeku, një inxhinieri, një pensionisti. Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e fundit ne kemi pasur dhjetëra qendra votimi pa komisionerë. E turpshme, një parti kombëtare që nuk nxjerr dot komisionerë.”

Berisha: Ne do zbatojmë statutin si kushti i kushteve për të qenë nesër garanci i zbatimit të shtetit ligjor

“Tani vijmë te një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm. Vijmë te primaret. Grupi i punës ka bërë një punë intensive. Por grupi i punës ka pasur një fat sepse bazuar në të gjithë veprimtarinë, ne miratuam një statut bashkërisht. Dhe statuti ynë është statuti që ndryshon PD-në. E paraqet atë si një forcë tjetër politike para shqiptaërve. Prandaj ngado që sillemi, ne kemi vetëm një alternativë, të zbatojmë statutin e votuar nga Kuvendi i PD. Ky është një kusht themelor. Statuti është Kushtetuta për të mos ndryshuar rrugën dhe për të mos u kthyer siç kemi qenë. Shpesh u takon të dëgjoni, që këtë ta marrë kryesia, atë ta marrë kryesia. Po të ecim kështu, ne shkojmë drejt autokracisë. Çfarë është autokracia? Gjithë pushteti te kryetari dhe kryesia. Çfarë i mbetet anëtarit? Vetëm të duartrokasë. Ne do i lëmë pushtetin anëtarit të PD dhe ky është përcaktimi i statutit tonë.

Ne do zbatojmë statutin si kushti i kushteve për të qenë nesër garanci i zbatimit të shtetit ligjor. Për të mos u thënë shqiptarëve se kullat nuk i shoh me sy, por do i shoh më satelit. Prandaj duhet të jemi të hekurt në zbatimin e statutit. Ne kështu shprehim luajalitetin ndaj anëtarëve që na kanë votuar dhe simpatizantëve tanë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA