Video/ Dy të plagosur nga një sulm me thikë në Nju Jork, arrestohet autori 51-vjeçar, dyshohet se…

24/07/2026 08:08

Dy persona mbetën të plagosur në dy sulme të ndara me thikë në qytetin e Nju Jorkut, të kryera brenda pak orësh nga i njëjti autor, i cili, sipas policisë, bërtiti “Allahu Ekber” gjatë sulmeve.

Shefja e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), Jessica Tisch, deklaroi se viktimat janë dy burra, një me origjinë aziatike dhe tjetri hebre. Të dy u transportuan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia arrestoi të dyshuarin, Raul Morales, 51 vjeç, menjëherë pas sulmeve.

Hetimet për motivin e ngjarjes vijojnë. Sipas Jessica Tisch, bazuar në dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve, Morales bërtiti “Allahu Ekber” gjatë të dy sulmeve. Autoritetet po hetojnë nëse ngjarjet përbëjnë krime të urrejtjes.

Ajo shtoi se, megjithëse Morales nuk ka një histori të njohur problemesh psikiatrike në të dhënat e NYPD-së, të dhënat paraprake të hetimit sugjerojnë se gjendja e tij mendore mund të ketë luajtur rol në ngjarje.

Lidhur me incidentin reagoi edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili dënoi sulmet.

“Sulme të tilla të urryera nuk kanë vend në qytetin tonë”, deklaroi ai.

Top Channel