Groenlanda kërkon përgjigje nga Danimarka për kontracepsionin e detyruar të grave aborigjene (fotot)

01/10/2022 16:18
Naja Lyberth iu vendos mjeti kontraceptues ne vitet 1970-te

Danimarka e Groenlanda kanë rënë dakord për hapjen e një hetimi të gjerë mbi praktikat historike të kontracepsionit të kryera prej dekadash në ishull ndaj banorëve aborigjenë Inuit të Groenlandë,s nga doktorët danezë.

Mijëra gra e vajza Inuite ishin pajisur ne aparatin  intra-uterin në mitër të njohur si “susta”, duke nisur prej viteve 1960 e 1970-të.

Mjeti kontraceptiv vendoset brenda mitrës së grave për të parandaluar shtatzaninë, duke shkaktuar vuajtje e komplikacione, siç ndodhi dhe me të intervistuarën Naja Lyberth, shkruan BBC.

Në vitet 1970’të një doktor i tha Naja, e cila thotë se asokohe ishte rreth 13 vjeç, të shkonte në spitalin vendas dhe të vendoste sustën, pas një kontrolli të zakonshëm mjekësor në shkollën e saj.

“Unë nuk e dija cfarë ishte sepse ai as nuk ma shpjegoi dhe as nuk më kërkoi leje,” thotë Naja, e cila asokohe jetonte në Maniitsoq, një qytezë e vogël në bregun perëndimor të Groenlandës.

Naja kur ishte adoleshente ne qytezen e Maniitsoq

Tashmë 60-vjecare, Naja është nga të parat që po flet hapur për atë që ka ndodhur.

“Mbaj mend doktorët me veshje të bardha, dhe një infermiere. Pashë pjesët e metalit aty ku duhet të hapje këmbët, ishte tmerruese. Pajisja që doktorët po përdornin ishte aq e madhe për trupin tim prej fëmije, ishte si të fusnin thika brenda meje”, tregon gruaja.

Naja thotë se as prindërve të saj nuk u ishte kërkuar leje për procedurën, ndërsa shoqet e saj të klasës që ishin dërguar në spital, nuk flisnin pasi ishte tepër shokuese.

Prandaj ajo ka krijuar një grup në rrjetet sociale që gratë të këmbejnë eksperiencat e tyre, dhe më shumë se 70 janë bashkuar.

Në një transmetim të fundit të agjencisë Spiralkampagnen (“fushata e sustës”), zbuloi se rreth 4,500 grave e vajzave në Groenlandë u ishte vendosur pajisja makabre kontraceptive mes viteve 1966 deri në 1970, ndërsa procedura kishte vijuar deri në 1975.

“Më kontaktojnë shumë gra,” thotë Naja. “Vajzat e reja kishin shumë komplikacione shëndetësore nga aparati i vendosur brenda tyre, është shumë e trishtë”.

Arnannguaq Poulsen i kishin vendosur sustën kur ishte 16 vjeçe, jo në Groenlandë por në tokën e Danimarkës, teksa studionte në një shkollë aborigjenesh me konvikt në ishullin Bornholm në vitin 1974.

“Ata nuk më kërkuan leje për procedurës, nuk e kisha idenë çfarë ishte, apo çfarë ishte susta”, thotë ajo, duke shtuar se lejohej të vinte në shtëpi vetëm një herë në vit dhe sigurisht as prindërit e saj nuk ishin njoftuar.

Arnannguaq përshkruan dhimbjet që vuante derisa arriti të heqë susten kur u kthye në Groenlandë një vit më vonë.

“Nuk më dhanë asnjë zgjedhje asokohe, këtë nuk mund ta pranoj. Si do të reagonin njerëzit nëse do t’u ndodhte kjo grave daneze dhe jo vetëm atyre groenlandeze?”

Raportimet për programin e detyruar të kontracepsionit kanë shkaktuar indinjatë të gjerë në Groenlandë e Danimarkë.

Komisioni hetues i ngritur do të hetojë praktikat e parandalimit të shtatzanive të popullsisëë vendase prej vitit 1960 deri në 1991, si në Groenlandë dhe në shkollat në Danimarkë për fëmijët aborigjene groenlandezë.

Qeveria rajonale e Groenlandës ka marrë kontrollin e politikave shëndetësore nga Kopenhagen vetëm në vitin 1992.

Ministri danez i shëndetësisë Magnus Heunicke tha se hetimet do të hedhin dritë mbi praktikat e përdorura.

“Dhimbja fizike e emocionale që ato kanë privuar është ende gjallë sot”, tha ai.

Groenlanda u kthye nga një koloni e Danimarkës, në një zonë adminsitrative në vitin 1953.

Katrine Jakobsen, nga Nuuk, thotë se ishte vetëm 12 vjeç kur i vendosën susten në mitër, në vitin 1974.

Ajo e kishte mbajtur për gati dy dekada dhe pësoi dhimbje e komplikacione, derisa pas të 30-ave u detyrua të hiqte mitrën.

“Unë nuk linda kurrë fëmijë, por nuk ia kisha thënë kujt se besoja se isha vetëm”, thotë ajo.

Zhvillimi vjen mes disa debateve për marrëdhënien e Danimarkës me ish-koloninë e saj, siç ka qenë ndarja e detyruar e fëmijëve inuit-ë me familjet e tyre për t’i arsimuar në shkollat e veccanta koloniale në Danimarkë.

FOTO GALERI
1/3
Mjeti kontraceptiv i perdorur prej viteve 1960

Top Channel