Temperatura të ulëta, fatura të larta! Rritja e çmimit të energjisë shkakton debate të forta në “Top Story”

26/09/2022 22:34

Teksa diskutohej mbi ndryshimet që parashikohet të ndodhin në çmimin e energjisë elektrike, paneli i mbrëmjes së sotme në “Top Story”, ishte i ndarë në dy qëndrime të ndryshme, përballë moderatorit Sokol Balla.

Edvin Kulluri dhe Dorian Teliti që kritikonin qeverinë për keqmenaxhim të situatës ndërsa nga ana tjetër ishin Besart Kadia dhe Enea Karakaçi, të cilët u shprehën se është arritje e qeverisë mosrritja e çmimit të energjisë deri në këtë moment.

Kjo temë ngjalli debate të forta në studion e “Top Story”, ku përveç interesit të popullit, debati herë pas here “ngjyrosej” edhe me nota politike.

Zv/Ministri i Financave Besart Kadia, deklaroi sot në “Top Story” se në lidhje me bizneset nuk do të ketë ndryshim të çmimit të energjisë elektrike, deri më datë 31 dhjetor.

“Në vitin 2009 4.3% e popullatës shpenzonin më shumë se 600kw. Lajmi i mirë është që Shqipëria nuk e ka ndjerë ndryshimin e energjisë që kanë ndjerë të gjithë vendet e tjera. Lajmi i mirë është sërish që Shqipëria nuk e ka rritur ende çmimin e energjisë për popullatën e gjerë. Në rast se do kishim ndryshim çmimi tek bizneset, inflacioni do të transmetohej direkt tek qytetarët dhe i bën bizneset të mos falimentojnë. Deri më 31 dhjetor nuk do të ketë ndryshim çmimi tek bizneset. Mos t’ja rrisësh çmimin për një vit e gjysmë qytetarëve, kjo është diçka e mirë për qytetarët. Çdo familje e ka këtë gjë ai që paguan paratë kur sheh një dritë ndezur shkon dhe e fik, e njëjta gjë duhet menduar edhe për shtetin.Ajo çfarë duhet të kuptojmë është se me të vërtetë ata që shpenzojnë më shumë janë 4% por harxhojnë sa 20% e qytetarëve. Ajo çfarë është e rëndësishme është se asnjëherë nuk është menduar është se çmimi është rritur 20 herë më shumë dhe për shembull në Kosovë është ndërprerë energjia. Është e sigurt që Shqipëria nuk do të ketë ndërprerje kurrë dhe do të menaxhohet në mënyra të tjera. Shqipëria do e kalojë këtë krizë pa e ndjerë fare sepse kemi edhe burimet”, tha Besart Kadia.

Drejtori i Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se vlera e energjisë përveçse është rritur shumë, është edhe e vështirë për tu gjetur në treg tashmë.

“Aktualisht çmimi importit ka qenë 50-70 euro ndërsa aktualisht prodhojmë deri në 30% të nevojave. Nga viti i shkuar për shkaqe të jashtme çmimet e energjisë duke nisur nga korriku i 2021 kërceu në nivelet 100-200 euro. Për t’ju dhënë një shembull, në 30 gusht ora 8 e darkës çmimi i energjisë në bursa ka qenë 3 mijë euro. Gjithë viri 2023 parashikohet në nivelin 540 euro. Ne kemi nevojë për import i cili përveçse është bërë shumë e shtrenjtë është edhe shume e radhë për tu gjetur. Këto janë të gjitha efekte të luftës. Impakti në Shqipëri është, së pari Shqipëria nuk e ka rritur fare çmimin, kostoja e importit deri më tani është mbuluar 20 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Në këtë lloj situate dhe krize nuk mund të ndodhte të mos kishte një rritje të çmimit. Janë rreth 1 mln e 90 mijë abonentë familjarë, sigurisht që secili është në të drejtën sipas dëshirës për të konsumuar por është e pamundur që këto të vazhdojnë të mbrohen me një çmim që nuk e mbulon fare koston e importit. Fsha mbi 800kë/h prek më pak se 4% të popullsisë. Kjo fashë do të mbrojë abonentët që kryejnë veprime të zakonshme dhe të domosdoshme”, tha Enea Karakaçi.

Nga ana tjetër eksperti i Ekonomisë në Partinë Demokratike Dorian Teliti, ka treguar këtë të hëne në “Top Story”, se cila duhej të ishte rruga që qeveria duhej të ndiqte sipas tij, në mënyrë që të menaxhonte mirë krizën energjitike. Sipas tij qeveria duhet të bënte kontrata paraprake porosie në treg për t’ia dalë me krizën energjetike.

Dorian Teliti: Nuk ka ndryshuar çmimi deri në 30 shtator por i kanë marrë taksapaguasve 200 mln euro. Dy janë burimet e financimit, kur nuk ka para ose do të japësh subvencionim ose do të rrisë tarifat, kjo ndodh kur kompania ka falimentuar. Kjo ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit, qeveria duhet të bënte në treg kontrata paraprake porosie.Familjet shqiptare janë 870 mijë por që kanë shtëpi shtesë, në total ne kemi 1 mln e 90 mijë abonentë zyrtarë por jo të gjithë bëjnë konsum. Për shembull unë kam një shtëpi në plazh e një të Tiranë. Unë bëj konsum vetëm në Tiranë. Konsumi i energjisë ka efekte sezonale, pranvera ka konsum më të ulët sesa vera e dimri.

Komentatori Edvin Kulluri u shpreh se fasha e energjisë elektrike 800 kW/ h e vendosur nga qeveria nuk e mbron konsumatorin.

“800 KW/h janë të pamjaftueshme për një familje mesatare. Në shtëpinë time kemi paguar 180-185 dhe mblidhemi në shtëpi në orën 7 të darkës. Unë kam panel diellor për ngrohjen e ujit dhe të gjitha pajisjet që kursejnë. Nuk është Ukraina arsyeja, Shqipëria nuk ngrohet me gaz por me energjinë elektrike. Meqë ne nuk varemi nga gazi ne nuk na impakton mungesa. Ku është specifika e Shqipërisë, nuk ka më shumë se 10 mË të shtuar nga kjo qeveri në më shumë se 9 vite. Mos them 0, do them 5-10 mW. Kur ka ikur Gjiknuri nga zyra ka pasur një mal me kërkesa të pamiratuara, çfarë kanë bërë ata?! Unë kur dilja nuk dilja pa minimumi 5 shkresa të firmosura”, tha Kulluri.

Një paketë me qëllim përballimin e krizës energjetike do të hyjë në fuqi nga 1 tetori. Personat që harxhojnë mbi 800 kW/h energji duke nisur nga 1 tetori do të duhet të paguajnë një çmim 4 herë më të lartë.

Familjet shqiptare sot e paguajnë energjinë me çmimin 9.5 lekë kilovatin për orë, ndërsa shtuar edhe TVSH-në, çmimi final shkon në 11 lekë kilovat për orë. Në këto kushte një familje që harxhon 800 kilovat/orë në muaj paguan  9 220 lekë. Nëse e kaloni këtë shumë, çmimi do të llogaritet me 42.85 lekë.

Me këtë rritje çmimi mbi fashën, OSHEE synon që të mbledhë 1.8 miliardë lekë apo 15.5 milion euro, të cilat do të përdoren për blerjen e energjisë në import gjatë tre muajve të mbetura. 40-70 mijë familje pritet të kenë një dimër më të kushtueshëm këtë vit sesa të tjerët.

Top Channel