Garda Revolucionare e Iranit u bëri thirrje të enjten organeve të drejtësisë të Republikës Islamike të ndjekin penalisht ata, që sipas saj, përhapin lajme të rreme e thashetheme lidhur me arsyet e vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini gjatë kohës që mbahej në paraburgim. Vdekja e saj ka shkaktuar protesta mbarëkombëtare.
Gjatë ditës së sotme, protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera të vendit dogjën stacione policore e automjete, mes një zemërimi në rritje të publikut që nuk po shuhet.
Mahsa Amini, ra në koma dhe vdiq javën e kaluar në paraburgim. Ajo u arrestua në Teheran për shkak të asaj që u cilësua si “veshje e papërshtatshme”. Autoritetet kanë thënë se do të nisin një hetim mbi shkakun e vdekjes së saj.
Në një deklaratë, Garda Revolucionare i shprehte ngushëllimet familjes dhe të afërmve të 22 vjeçares.
“Kemi kërkuar nga drejtësia që të identifikojë ata që përhapin lajme të rreme dhe thashetheme në rrjetet sociale si dhe në rrugë, e që rrezikojnë sigurinë psikologjike të shoqërisë. Do përballemi me ta me vendosmëri”, thuhej në deklaratë.
Mediat iraniane njoftuan se të premten janë planifikuar të mbahen protestat pro-qeveritare.
“Vullneti i popullit iranian është ky: mos i kurseni kriminelët”, shkruhej një kryeartikull të gazetës me ndikim Kayhan, një botim i linjës së ashpër.
Protestat për vdekjen e Mahsa Aminit janë më të mëdhatë e zhvilluara në Republikën Islamike që nga viti 2019. Shumica janë përqendruar në veriperëndim të Iranit të populluar nga kurdët, por janë përhapur edhe në kryeqytet e të paktën 50 qytete e qyteza, në mbarë vendin. Policia ka përdorur forcën për të shpërndarë protestuesit.
Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara kërkuan që të mbahet përgjegjësi për vdekjen e 22 vjeçares./Voa
Top Channel