Gjukanoviç refuzon Llekiçin si mandatar për krijimin e qeverisë në Mal të Zi, kërkon zgjedhje të reja

20/09/2022 17:00

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, tha se nuk mund të pranojë propozimin që Miodrag Llekiç të jetë mandatar për formimin e qeverisë së re të këtij vendi, sepse, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.

Gjukanoviç, në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

“Nuk kam pasur përshtypjen se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, që do t’iu ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”, tha Gjukanoviç.

Partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA ranë dakord të hënën vonë që Llekiç të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve, sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Gjukanoviç përmendi në mënyrë të veçantë aspektin e sigurisë, duke thënë se kriza aktuale në Evropë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, ka implikime për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel