Rusia në Ukrainë po lë pas ngado gjurmë vdekjeje, deklaroi presidenti Volodimyr Zelensky, teksa përcillte lajmin e zbulimit të një tjetër varreze masive, këtë radhë në qytetin e Izumit, kontrollin e të cilit forcat e Kievit e rimorën së fundi pas zmbrapsjes së ushtrisë ruse.

Trupat ukrainase nisën një ditë më parë një kundërofensivë në rajonin verilindor të Kharkivit, duke çliruar një sërë vendbanimesh.

“Një varrezë masive është gjetur në Izum, në rajonin e Kharkivit. Veprimet e nevojshme procedurale tashmë kanë nisur. Buça, Mariupoli, tani fatkeqësisht Izjumi, nga të gjithë këto vende mbërrijnë të dhëna për krime lufte”, tha Zelenky.

Rusia duhet të mbajë përgjegjës, shtoi ai. Zelensky nuk ka dhënë hollësi për numrin e trupave të gjetur, por Ministria ukrainase e Mbrojtjes foli për të paktën 440 trupa të pajetë. Rusët u tërhoqën javën që shkoi nga Izumi, të cilin e kishin pushtuar vetëm pak ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Ata e kishin shfrytëzuar këtë qytet si pikë furnizimi në rajonin e Kharkivit. Pas largimit, forcat e Moskës kanë lënë pas sasi të mëdha pajisjesh ushtarake e municionesh.  Rusia ende nuk ka bërë ndonjë koment për pretendimet për varrin masiv në Izum, por ajo vazhdimisht i ka mohuar akuzat për sulme ndaj civilëve. Serhiy Bolvinov, shef policor për rajonin e Kharkivit ka thënë se “disa njerëz kanë vdekur nga sulmet me artileri, disa kanë vdekur nga sulmet ajrore”.

Top Channel