Rreth një javë nga ndeshja e radhës e kombëtares shqiptare, ajo me Izraelin më 24 shtator në Tel Aviv, trajneri italian i kuqezinjve Edi Reja ka publikuar listën e lojtarëve që do të grumbullojë për këto dy ndeshje të fundit të Ligës së Kombeve ajo me Izraelin dhe me Islandën më 27 shtator në stadiumin Air Albania të Tiranës që është dhe ndeshja përmbyllëse e kësaj faze të grupeve të këtij aktiviteti.

Ashtu siç ishte paralajmëruar ky grumbullim do të kishte mungesa të mëdha dhe ato që bien më tepër në sy janë shtyllat e mbrojtjes, Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku dhe Marash Kumbulla. Këto mungesa të rëndësishme kanë detyruar trajnerin reja të thërras për këtë grumbullim edhe Arlind Ajetin, i cili vjen nga eksperienca në Serinë C italiane me Pordenonen dhe Adrian Bajramin me të rinjtë e Benfikës.

Grumbullimi i kombëtares shqiptare starton ditën e hënë në qytetin e Durrësit për këto dy ndeshje kaq të rëndësishme për këtë edicion të Ligës së Kombeve ku grupi ynë u cungua pas pezullimit të Rusisë duke mbetur me vetëm 3 ekipe.

Izraeli për momentin e kryeson grupin me 5 pikë pas tre ndeshjesh, ndërkohë që në vendin e dytë ndodhet Islanda me 3 pikë nga 3 ndeshje ndërsa Shqipëria ka vetëm dy ndeshje ku ka 1 pike që u përfitua nga barazimi 1-1 me Islandën në Rejkjavik, ndërkohë që u mundëm nga Izraeli në Tiranë. Objektivi për të arritur vendin e parë në grup është ende  i hapur, të paktën deri në ndeshjen me Izraelin ku për ta arritur na duhet me doemos fitorja, përndryshe do të luajmë për vendin e dytë në grup me Islandën.

Pavarësisht se si do të shkojnë këto dy ndeshje nga grupi i Shqipërisë në Ligën B nuk rrëzohet asnjë skuadër një Ligë më poshtë pavarësisht pozicionimit në vendin e fundit në grup.

Top Channel