Java e pestë e Abissnet Superiores ngre siparin këtë fundjavë me Tiranën dhe Teutën, dy skuadrat që kanë një fillim relativisht të njëjtë në këtë sezon, me më pak pikë se sa kishin parashikuar në letër pas 4 ndeshjesh të luajtura.

Aktualisht Tirana ndodhet në vendin e 6 me 5 pikë ndërkohë që Teuta në të 9-in me 3 pikë. Në prag të këtij takimi, trajneri i kampionëve në fuqi Orges Shehi thekson faktin e ndryshimeve tek kundërshtari i kësaj jave ku me ardhjen e Shkëmbit në krye të djemve të detit dhe me disa kampion në përbërjen e ekipit gjërat nuk do të jenë të lehta.

“Jemi dy skuadra që prisnim më shumë pikë këto katër javë. Sigurisht që Teuta ka ndryshuar një javë para dhe ne aty do të fokusohemi. Mendoj se është një kundërshtar që para dy vitesh ka dal kampionë dhe ka akoma lojtarë me petkun e kampionit. Është një ndeshje e vështirë dhe për shkak të asaj që thashë pak më parë, pritshmëritë e të dyja skuadrave që kërkonin më shumë pikë”, tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Ndërkohë bardheblutë kanë vetëm 1 fitore në 10 ndeshjet e fundit, përfshirë këtu edhe ndeshjet miqësore, një situatë jo e mirë për të cilën kërkohet kthesa e menjëhershme.

 “Miqësoret janë të rëndësishme, por gjithmonë pikësynimi është kampionati. Ka ikur pjesa e Europës dhe me të kanë ikur dhe lojtarët. Është një kapitull i mbyllur. Ajo që duam ne është që gjithmonë të bëjmë maksimumin. Nga vjet sivjet janë situatë komplet ndryshe. Vjet po thuajse ishin të konsoliduar për dy muaj. Është një rrugë e gjatë dhe ky është vetëm fillimi. Fillimi këtë vit është më i vështirë sepse skuadra është konsoliduar në moment të fundit”, tha Orges Shehi,  trajner i Tiranës.

Ndërohë ekipi durrska ende nuke  ka provuar shijen e fitores në këtë edicion pasi ka vetëm 3 barazime dhe 1 humbje, kjo solli edhe zëvendësimin e trajnerit Renato Arapi me Bledi Shkëmbin i cili debutoi fundjavën e shkuar në barazimin 0-0 me Kukësin.

Top Channel