Dyshimet se Partia Demokratike ka pranuar financime nga Rusia në vitin 2017 ndezi një debat të ashpër mes deputetit socialist Pandeli Majko dhe demokratit Enkelejd Alibeaj, në nisje të seancës plenare.

Majko: Besoj që sot në kufijtë 24 orëve, drejtuesit e PD-së, me ose pa zyra, e dinë shumë mirë që PD-ja ka marrë rreth 500 mijë nga fondet ruse, mirë do ishte që kur flasim për fondet europiane, të flasim dhe për fondet anti europiane. Nuk mbyllet me ironi, përpara se t’i kërkoni Beqes sonë, kërkojini Beqes suaj, dhe ky nuk është një faj individual, është një akuzë e konfirmuar nga Zëri i Amerikës dhe administrata amerikane.

Alibeaj: Më në fund Pandit i qenka shëruar goja se për çështje delikate, i vetmi që nuk duhet të fliste nuk duhet të ishe ti, se e di një gjë që është një makinacion që mungon sot, po si i vjetër në politikë, së paku prit dhe ca orë se do të përgënjeshtrohet, dhe shko prapë të dentisti

Majko: I respektoj shumë këta që kanë mjekët të bardhë dhe flokë të zinj dhe dua si të jetë kështu, siç thonë këta, por po e përsëris dhe njëherë, ajo që keni diskutuar ju dhe midis vedit, është një akuzë e cila dje është ripërsëritur, unë uroj që Basha të shkojë normalisht në SHBA dhe partia që u krijua nga studentët të mos ketë këtë akuzë.

Majko kërkon që demokratët të japin llogari për lobimin rus, ndërsa Alibeaj i konsideron dyshimet të pavërteta.

Mediet ndërkombëtare raportojnë se “Rusia shpenzoi në mënyrë të fshehtë 300 milion dollarë për ndërhyrje jashtë dhe në SHBA”.

BBC thotë se ky operacion financimesh të fshehta ruse është shtrirë në 24 shtete dhe në SHBA.

Pjesë e kësaj fushate financimesh është PD në Shqipëri. Moska i ka dhënë rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike përmes kompanive fantazmë, në kohën kur Lulzim Basha ishte kryetar.

Top Channel