Kryeministrja britanike, Liz Truss u bëri thirrje britanikëve që të “bashkohen” për të mbështetur Charles, Mbretin e ri të Mbretërisë së Bashkuar.
“Në ditët e vështira që vijnë, ne do të bashkohemi me miqtë tanë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Komonuelthin dhe botën, për të festuar jetën e saj të jashtëzakonshme“, tha Truss.
“Është një ditë humbje e madhe, por Mbretëresha Elizabeth II la një trashëgimi të madhe”.
“Sot Kurora i kalon, siç ka bërë për më shumë se një mijë vjet, monarkut tonë të ri, kreut tonë të ri të shtetit: Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III“, tha Truss.
“Me familjen e Mbretit, ne vajtojmë humbjen e nënës së tij. Dhe ndërsa vajtojmë, ne duhet të bashkohemi si popull për ta mbështetur atë“, shtoi ajo.
“Të ndihmojmë atë të mbajë përgjegjësinë e jashtëzakonshme që ai tani mbart për të gjithë ne. Britania është vendi i madh që është sot për shkak të saj”, tha kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss jashtë Downing Street pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.
“Tani jemi një komb modern, i lulëzuar dhe dinamik. Mbretëresha Elizabeth II na siguroi stabilitetin dhe forcën që na nevojitej. Është një arritje e jashtëzakonshme të kesh kryesuar me kaq dinjitet për 70 vjet. Ajo ishte e dashur dhe e admiruar nga njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën.Ajo ka qenë një frymëzim personal për mua dhe për shumë britanikë”, tha kryeministrja e re.
Top Channel