Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe disa shtete jo anëtare pranë BE-së do të ftohen të marrin pjesë në samitin e parë të Komunitetit Politik Europian muajin e ardhshëm.
Një zyrtar i bllokut pohoi se samiti i forumit të ashtequajtur BE-plus do të zhvillohet në Pragë, kjo për shkak se Çekia mban aktualisht presidencën e radhës të BE-së.
Eventi organizohet pak përpara një takimi jozyrtar të krerëve të Bashkimit Europian në 7 tetor. Ftesat do të dërgohen së shpejti për samitin, e planifikuar të nisë në 6 tetor në Pragë, me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Norvegjisë, Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit, Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë. Në të pritet te marrin pjesë edhe Turqia, Armenia dhe Azerbajxhani.
Ideja për forumin e ri, e cila i takon presidentit francez Emmanuel Macron, është të ofrojë një platformë për dialog dhe bashkëpunim politik duke përfshirë vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE dhe ato të mbetura jashtë tij. Qëllimi kryesor është “të kemi një diskutim politik për çështje strategjike me interes të përbashkët për kontinentin europian”, tha zyrtari në fjalë, duke shtuar se çështjet kryesore do të përfshijnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, krizën energjetike dhe situatën ekonomike të Evropës.
Gjatë diskutimeve me ambasadorët javën e kaluar, Macron sqaroi se forumi i ri politik europian do të takohet çdo gjashtë muaj. Të jemi të qartë, sqaroi zyrtari europian, ky nuk është zëvendësim i zgjerimit. Disa vëzhgues megjithatë kanë shqetësime se propozimi mund të nënkuptojë kërkimin e një “alternative” ndaj shtrirjes së bllokut BE-së, të cilën Franca dhe disa vende të tjera të Europës Perëndimore, e shihnin me skepticizëm përpara se pushtimi rus i Ukrainës t’i jepte procesit një hov të ri.
Top Channel