Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se nesër do të prezantohet paketa e plotë për të përballuar krizën energjetike që ka prekur jo vetëm vendin tonë por edhe shtete të tjera të Evropës.
Ajo theksoi se do të ketë masa drastike, ndërsa do të jepen detaje në lidhje me fashën orare.
“Nuk më rezulton që të ketë masa për ndërprerje pas orës 22:00 se do të ishte emergjente, pas orës 22 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik. Aplikimi i ndriçimit publik njësive nga ora 16:00 deri orës 22:00. Pas atij momenti fiken deri të nesërmen 4 pasdite, e ka aplikuar Gjermania. Nesër do prezantojmë paketën e energjisë, edhe fashën, edhe masa drastike, disa janë marrë si praktika nga shtete disa janë konsumizuar. Nesër në orën 9:00 do të prezantojmë të gjithë paketën”, tha ministrja.
Kriza energjetike globale me çmime të shtrenjtuara të blerjes në import dhe mungesë së reshjeve për të siguruar energjinë në vend ka bërë që qeveria të zgjasë gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ministria e Energjisë ka lajmëruar tashmë për vendosjen e një tavani dhe se kush shpenzon më shumë se 800 kv/orë energji duke nisur nga 1 tetori do të duhet të paguajë më shumë për energjinë elektrike.
Kursimi i energjisë dhe përdorimi sa më eficient i saj është apeli që po bëhet vazhdimisht nga autoritetet për shkak të krizës së energjisë dhe çmimeve të larta të blerjes së saj në import. Këto të fundit kanë arritur në shifra stratosferike në bursat ndërkombëtare në fund të gushtit duke kapërcyer 1000 euro për Mwh.
Instat raporton se përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, si familjarët ashtu edhe bizneset është ulur duke shfaqur shenja kursimi.
Shqipëria ka importuar 664GWh energji vetëm tremujorin e dytë të vitit, gati dyfish më shumë se krahasuar me një vit më parë, duke pasqyruar edhe situatën e vështirë në sektorin energjetik.
Janë këto të dhënat e Institutit të Statistikave, sipas të cilave nga ana tjetër eksporti i energjisë është përgjysmuar kundrejt të njëjtin tremujor të vitit që lamë pas, duke bërë që shkëmbimi i energjisë të shënojë vlera negative.
Gjatë periudhës prill-qershor mungesa e reshjeve ka bërë që prodhimi vendas i energjisë elektrike në vend të ulet me gati 40%.
Top Channel