Erdogan nga Beogradi: Turqia, gati të ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi!

07/09/2022 21:55

Nga Beogradi, ndalesa e dyte e turit të tij ballkanik, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shfaqi shpresën që Kosova dhe Serbia ta arrijnë shpejt marrëveshjen e pë targat e makinave.

“Theksojmë se jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen tonë, sido që të mundemi. Ballkani nuk mund të tolerojë më këtë lloj problemi”, citohet të ketë thënë ai gjatë një takimi me homologun serb, Aleksandar Vuçiç. Turqia për më tepër, sipas tij, është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në dialogun Kosovë-Serbi. Me ketë koment, ai iu përgjigj pyetjes së një gazetari në sallë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Vuçiç.

“Jemi shumë të kënaqur që është arritur marrëveshja për kalimin e kufijve me letërnjoftime ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sa i përket targave, shpresoj që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt, edhe për çështje të tjera problematike”, është shprehur ai, ndërsa përmendi dhe luftën e Ukrainës, duke theksuar nevojën e ruajtjes se ekuilibrave.

“Turqia ka ndjekur gjithmonë një politikë të balancuar mes Ukrainës dhe Rusisë. Nga tani e tutje, do të vazhdojmë të ndjekim këtë lloj politike të ekuilibruar”, tha Erdogan.

Vuçiç nga ana e tij u shpreh se në takimin me Erdoganin kanë diskutuar dhe për një bashkëpunim më të madh ushtarak. Ai përsëriti dëshirën e Serbisë për të blerë dronë turq “Bajraktar”. “Ne jemi të një linje dhe unë shpresoj se do të mund të arrijmë diçka të tillë vitin tjetër. Ne jemi të gatshëm të paguajmë më shumë para sesa ishim pajtuar në të kaluarën dhe të ofrojnë qindra miliona euro”, ka thënë Vuçiç.

Top Channel