Anëtarët e Partisë Socialdemokrate, kanë zhvilluar një aksion ku i kanë hedhur miell ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati, pas prezantimit te pakos për përballjen me inflacionin.
Videon e ka postuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, të cilin e ka quajtur aksion simbolik për punëtorët.
“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedent që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, ka shkruar ai.
Pakoja parashikon subvencion të faturave të energjisë elektrike për qytetarët që kursejnë energjinë dhe fillon nga shtatori.
Gjithashtu parashikohet 100 euro shtesë për pensionistët dhe studentët, dyfishim të pensionit për familjet me asistencë sociale, 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim me 50% të pagës me rritje për bizneset private që në këtë kohë ua rrisin pagën punëtorëve dhe 50 euro shtesa deri në fund të vitit për punëtorët e sektorit publik.
Sektori publik ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesa deri në miratimin e Projektligjit të Pagave, prandaj nuk heqin dorë nga greva përkundër shtesave që ka prezantuar sot qeveria e Kosovës, sepse sipas tyre vendimi për ndarjen e 50 eurove është i njëanshëm.
Top Channel