Një ekip ekspertësh kibernetikë të FBI-së po shkon në Mal të Zi për të hetuar sulmin masiv e të koordinuar kibernetik ndaj qeverisë së vendit ballkanik dhe shërbimeve të tij.

Ministria e Brendshme malazeze e përshkroi këtë si një tjetër konfirmim të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Malit të Zi dhe një dëshmi se mund të mbështeten tek amerikanët në çdo situatë.

Agjencia vendase e Sigurisë Kombëtare fajësoi Rusinë për sulmin por pa dhënë prova për këtë. Një kombinim i virusit dhe sulmeve të përqendruara tek bllokimi i shërbimit, çuan në ndërprerjen e shërbimeve qeveritare malazeze dhe detyruan kompania elektrike të vendit të kalonte në kontroll manual. Një bandë zhvatëse mori përgjegjësinë për të paktën një pjesë të sulmit, dhe goditjen e një zyrë parlamentare me virusin e njohur si Kuba, për të cilin firma e sigurisë kibernetike Profero thotë se është përdorur nga rusishtfolës.

Hakerat që flasin rusisht në përgjithësi veprojnë pa ndërhyrjen e Kremlinit, për sa kohë që ata nuk cenojnë kombet e konsideruara mikë. Zyrtarët malazeze thonë se nuk u është  bërë asnjë kërkesë për shpërblim. Por arsyetojnë nga ana tjetër se Rusia ka një motiv të fortë për një sulm të tillë, sepse shteti ballkanik, i konsideruar dikur një aleat i fortë rus, iu bashkua NATO-s në vitin 2017, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Kremlini. Podgorica po ashtu iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt.

Të premten, Ambasada e SHBA-së në Podgoricë lëshoi ​​një alarm të rrallë duke thënë se sulmi mund të përfshijë ndërprerje në sektorin e shërbimeve publike, transportit (përfshirë pikat kufitare dhe aeroportin) dhe sektorët e telekomunikacionit. Shtete të tjera të Evropës Lindore që konsiderohen si armiq të Rusisë kanë pësuar kohët e fundit gjithashtu sulme kibernetike, objektivat e të cilave përfshinin rrjete në Moldavi, Slloveni, Bullgari dhe Shqipëri.

Top Channel